Skenari i së enjtes nuk ndryshoi për opozitën. Lulzim Basha deklaroi se Parlamenti nuk mund të shërbejë si fasadë, ndërsa kryeministri dhe ministri i Brendshëm mbulojnë veprimtarinë kriminale të Agron Xhafajt. Ligjet kryesore të shtetit kanë rënë, tha kreu i opozitës.
“E vërteta është se Kushtetuta ka rënë, Kodi Penal ka rënë, Kodi i Procedurës Penale ka rënë, ligji antimafia ka rënë, ligji i famshëm i vetingut të policisë ka rënë”, tha Basha.
“Veprimet tuaja për të marrë peng seancën, sigurisht që nuk është alternativë e një opozite që kërkon të vijë në pushtet”, tha Ruçi.
Koha e fjalës për procedurë parlamentare mbaroi dhe Gramoz Ruçi nuk e lejoi të fliste më tej Lulzim Bashën, por edhe kësaj here ai kishte menduar për planin B, transmetimin në Facebook.
“Se ke humbur totalisht arsyen midis avujve të pluhurit të bardhë dhe delirit të ER TV”, tha ai.
Në Parlamet do të flitej për integrimin, por kreu opozitës deklaroi se edhe kjo i shërben fasadës sepse kryeministrit sipas tij ia kanë thënë në sy se nuk do të ketë hapje negociatash.
“Shqiptarët dhe bota e dinë fare mirë,negociatat nuk hapen me reforma në letër, me ligje që miratohen e nuk zbatohen si ligji antimafia për Fatmir Xhafajn. Duhej të kishte marrë menjëherë në pyetje, Fatmir Xhafajn, Agron Xhafajn, Edi Ramën, autorin e ekspertizës, po nuk ka Prokurori”, vijoi ai.
Kreu demokrat bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestën e 26 majit. “Mbajtja e status quos është e pamundur. Ta çlirojmë Shqipërinë nga qeveria më antieuropiane”. Pas fjalës së kryetarit opozita braktisi sallën
Top Channel