Presidenti italian, Sergio Mattarella nuk ka nxituar t’i japë “dritën jeshile” kandidatit të “Lëvizjes 5 yjet” dhe “Lega Nord”-it për kryeministër të Italisë, Giuseppe Conte.
Kreu i shtetit ua frenoi hovin dy forcave politike fituese të zgjedhjeve të 4 marsit, e arsyeja është jetëshkrimi i profesorit të së Drejtës Private në Universitetin e Firences.
Conte, me sa duket i ka fryrë dhe zbukuruar shumë kredencialet e tij akademike. Në rezymenë 12-faqëshe listohen një sërë institucionesh prestigjioze në Itali, Britani, Shtetet e Bashkuara, Francë e Austri, ku ai pretendon të ketë studiuar, por të pakta janë rastet në të cilat specifikon natyrën e studimit apo kursin e ndjekur.
Për shembull, 54-vjeçari thotë se ka perfeksionuar studimet e tij në Universitetin e Nju Jorkut, “NYU”, gjatë periudhave të verës në vitet 2008 deri në 2014-n.
Megjithatë, një zëdhënëse e Universitetit “Michelle Tsai” u shpreh se profesori nuk ka pasur ndonjë status zyrtar në këtë institucion dhe ka marrë thjesht lejen për të përdorur bibliotekën e tij.
Në “CV” thuhet po kështu se ai ka qëndruar në Universitetin e Sorbonës në vitin 2000 dhe në Kolegjin “Girton” të Universitetit të Kembrixhit në 2001-shin për kërkime shkencore. Ky i fundit nuk e konfirmoi këtë pretendim, duke cituar politikat e privatësisë, ndërsa “Sorbona” nuk është përgjigjur ende.
Ndër të tjera përmendet edhe “The International Kultur Institut” në Vjenë, emri i të cilit është shkruar gabim, ndërsa bëhet fjalë për një shkollë gjuhësh, e cila nuk ofron kurse juridiku. Gjithë çfarë dihet me siguri për Conten deri tani është se ka mbaruar studimet për Drejtësi në “La Sapienza” të Romës në vitin 1988.
Top Channel