Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat mbrëmjen e së mërkurës, denoncoi se dëshmitarit X i janë ofruar 200 000 euro nga njerëz të Xhafajt për të përgënjeshtruar deklaratat e tij.
Basha shtoi se “struktura të krimit të organizuar kanë kërcënuar edhe gazetarin Jetmir Olldashi”, në lidhje me audio-përgjimin.
“Jam sonte në këtë orë të vonë të mbrëmjes para jush për të denoncuar thellimin e skandalit dhe skenarit kriminal të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, të cilët po përdorin shtetin e kapur dhe kanë hedhur në veprim strukturat e krimit të organizuar nën urdhrat e tyre për të kërcënuar dhe për t[i bërë presion dëshmitarit X, shtetasit Albert Veliu dhe familjarëve të tij. Sot, të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe e Fushë-Krujës, i kanë ofruar një të afërmi të dëshmitarit X, Albert Veliut, 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgënjeshtrojë deklarimet e bëra publike. Çdo përpjekje e Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës për të kërcënuar, intimiduar apo për të blerë dëshmitarin X, thjesht i zhyt edhe më thellë Fatmir Xhafajn dhe Edi Ramën në skandalin ku janë përfshirë kokë e këmbë”, theksoi Basha.
Kreu demokrat shtoi se “presioni shtetëror me paratë e krimit dhe drogës është prova më e qartë e rënies së shtetit dhe kapjes totale të qeverisë nga organizatat kriminale”.
“Kërcënimet dhe presionet janë rritur ethshëm para protestës sonë sepse ata kanë frikë. E vetmja forcë që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi ynë”, tha Basha.
Top Channel