Një muaj pas protestës së banorëve të Shkozetit për pastrimin e kanalit kullues, që kalon përgjatë zonës së tyre të banimit, asgjë nuk ka ndryshuar.
Për shkak të rritjes së temperaturave, gjendja paraqitet edhe më e rënduar, ndërsa banorët ndjehen të harruar. Asnjë masë nuk është marrë. Madje askush nuk është dukur, pas protestës për të bërë vlerësimin në vend të situatës.
“Mban shumë erë të rëndë kanali. Vendi shumë i pisët. Mbeturina. Është dhe kjo thertorja këtu që e derdh gjakun e kafshëve të therura në kanal. Asnjë nuk ka ardhur. Madje edhe kur i heqin plehrat nga kanali i lënë këtu dhe bëhet edhe më keq”shprehet një nxënës shkolle, banor i lagjes.
“Këtu ka shumë vite e vite kështu. Një erë e keqe se derdhen të gjitha ujërat e zeza këtu”, thotë një banor.
“Asnjë lloj mase nuk u mor për këtë kanalin. Shumë keq jemi. Plehrat te dera. Nevojtoret në kanal. Papastërtia është në kulm”, vijon një tjetër
Shpesh banorë të zonës detyrohen t’i venë zjarrin plehrave që derdhen buzë kanalit, për të ulur volumin e tyre, pa menduar se nga djegja e mbetjeve pasojat negative të ndotjes në shëndet shtohen.
Sipas ekspeteve, pastrimi i këtij kanali, ashtu si dhe kanaleve të tjera kulluese në zonën e Durrësit do të ulte ndjeshëm, deri në masën 60-70%, përmbytjet në zonën e Shkozetit, Spitallës e Porto Romanos.
Top Channel