Mjaftoi një vilë 600 mijë euroshe për të lëkundur nga themelet lidershipin e forcës së tretë më të madhe politike të Spanjës.
Kreu i “Podemos”, Pablo Iglesias, dhe partnerja e tij, Irene Montero, kryetare e grupit parlamentar të partisë, janë detyruar të kërkojnë mbajtjen e një votimi të brendshëm për t’iu përgjigjur në këtë mënyre ankesave që kanë vërshuar drejt tyre dhe godinës 268 metra katrorëshe, të ndodhur në periferi të Madridit.
Vila luksoze ka ndër të tjera një pishinë dhe një shtëpi të veçantë për miqtë. Gjysmëmilioni spanjollë të regjistruar si anëtarë të “Podemos”-it do të jenë në gjendje të votojnë nga e marta deri të dielën, e të thonë fjalën e tyre nëse Iglesias dhe Montero duhet të vazhdojnë t’i ruajnë pozicionet brenda partisë dhe Parlamentit.
Blerja e vilës tërhoqi vëmendje të madhe, e u kthye në një kërcënim madhor për besueshmërinë e partisë së ekstremit të majtë. “Podemos” u shfaq në skenën politike të vendit në vitin 2014, si një rrezik ndaj dominimit tradicional të Partisë Popullore konservatore të kryeministrit Mariano Rajoy dhe atij socialist.
Ajo e ka trumpetuar me të madhe origjinën e saj nga klasa punëtore dhe nuk ka ngurruar ta fshikullojë “establishmentin” politik për stilin luksoz të jetesës.
Iglesias dhe Montero, marrëdhënia e të cilëve po kështu ka tërhequr kritika pas caktimit të saj në krye të grupit parlamentar, pretendojnë se kanë marrë një kredi 30-vjeçare për supervilën.
“E kuptojmë, – ishte komenti i tyre në medien sociale, – se shumë familje spanjolle, edhe me dy rroga qofshin, nuk e përballojnë dot një kredi të tillë. E kjo është arsyeja përse e konsiderojmë kaq të rëndësishme që të gjithë të kenë paga dinjitoze”.
Një shpjegim i tillë nuk bind kritikët, që thonë se angazhimi i politikanëve për të jetuar ashtu si njerëzit që përfaqësojnë nuk duhet të mbetet thjesht një formalitet.
Top Channel