Teknologjia e fundit e avionëve luftarakë, në misionet e para…izraelite!

22/05/2018 15:53

Avionët më teknologjikë luftarakë që shmangin edhe diktimin, ata të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “F-35”, janë parë të marrin pjesë në misionet e para luftuese, duke u bërë pjesë e një operacioni të forcave ajrore izraelite.

Shefi i forcave ajrore tregoi pamje të avionëve mbi Bejrut të Libanit, duke thënë se avionët “kanë sulmuar tashmë dy herë në dy fronte të ndryshme”. Kohët e fundit, Izraeli ka ndërmarrë dhjetëra sulme ajrore në Siri, por nuk dihet zyrtarisht nëse janë përfshirë apo jo të tillë avionë.

“F-35”-at, pjesë e programit më të kushtueshëm ushtarak, kanë kritikuar qoftë për kostot e tejskajshme, ashtu dhe për efektshmërinë në luftime.

Vitin e kaluar, Sekretarit të Mbrojtjes James Mattis iu desh ta mbronte programin, pas “cicërimave” të publikuara nga presidenti i zgjedhur asokohe Donald Trump në rrjetin social “Twitter”, duke kritikuar kostot e larta të tyre, që thuhet se kapin shifrën e 100 milionë dollarëve për avion.

“Kemi ngritur në fluturim avionët F-35 në të gjithë Lindjen e Mesme dhe kemi sulmuar dy herë në dy fronte të ndryshme”, do t’u thoshte gjeneral-major Amikam Norkin, krerëve të 20 forcave të huaja ajrore gjatë një takimi në Izrael. Ai gjithsesi nuk specifikoi objektivat e shënjestruara.

“Siç e dini, se sapo kemi fituar Eurovisionin me këngën ‘Toy’ (Kukulla). Epo, edhe F-35-a nuk është një lodër”, është shprehur ai me nota humori.

Izraeli, i pari vend jashtë Shteteve të Bashkuara që ka kërkuar të blejë avionët luftarakë njëvendësh, ka marrë deri më tani 9 nga 50 avionët e prenotuar F-35, por mund të blejë deri në 75 të tillë.

Në Izrael, ky lloj avioni është mbiquajtur “Adir” (I fuqishëm) në gjuhën hebreje. Besohet se këto avionë janë të variantit A, që nënkupton për ulje e ngritje konvencionale.

Edhe pse nuk specifikohen objektivat, dihet fare mirë se Izraeli ka ndërmarrë sulme së fundi në Siri, ku ka shënjestruar infrastrukturën ushtarake iraniane, në kundërpërgjigje të raketave të lëshuara ndaj pozicioneve ushtarake izraelite në Lartësitë Golan të pushtuara nga vendi hebre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA