Ministrja daneze e emigracionit është kritikuar në masë pasi ajo sugjeroi që myslimanët të merrnin pushime nga puna, gjatë Ramazanit, për shkak të rreziqeve të mundshme të sigurisë për pjesën tjetër të shoqërisë.
Inger Stojberg, që ka një reputacion për politika të ashpra të emigracionit, tha se agjërimi përgjatë ditëve të punës, ngre sfida për shoqërinë moderne. Ajo citoi rreziqet e mundshme për shoferët e autobusëve apo personelin e spitaleve.
Kompanitë e autobusëve ishin ndër të parët që thanë se nuk kishin asnjë problem me Ramazanin. Arriva, që menaxhon një numër trajektoresh në Danimarkë, tha se nuk kishte pasur asnjëherë asnjë incident të shkaktuar nga shoferët në agjërim. “Ndaj, de facto nuk është një problem për ne”, tha një zëdhënëse.
I njëjti mesazh ka ardhur edhe nga sindikata daneze e transportit, që pyeti nëse ministrja po përpiqej të krijonte një problem që nuk ekziston. Ndërsa unioni mysliman i Danimarkës, në një mesazh në median sociale, falenderonte zonjën Stojberg për shqetësimin, por nënvizonte se myslimanët ishin të rritur, plotësisht të aftë të kujdesen për veten dhe për shoqërinë, edhe kur agjërojnë.
Ndërsa kolegët e partisë së ministres sugjeruan se politikanët duhet të fokusohen tek zgjidhja e problemeve reale dhe jo të ndërhyjnë.
Top Channel