Giuseppe Conte, kryeministri i ri (për t’u konfirmuar) i Italisë

22/05/2018 11:12

Koalicioni populist i Italisë zgjodhi kandidat për kryeministër një akademik pa asnjë eksperiencë politike.

Nëse do të konfirmohet nga presidenti Sergio Mattarella, Giuseppe Conte do të drejtojë një qeveri “antiestablishment” dhe pro shpenzimeve të bollshme, sidomos për të varfrit.

Por, kush është ky njeri? Profesori jo fort i njohur i së Drejtës Private është i lidhur ngushtë me “Lëvizjen 5 yjet”, nuk është zgjedhur kurrë në Parlament dhe në skenën politike të vendit konsiderohet thjesht një debutues.

Megjithatë, 54-vjeçari arriti në fund të shfaqet si kandidati teknokrat i kompromisit mes “5 yjeve” dhe “Lega Nord”-it, dhe si një njeri që po merr përsipër barrën e rëndë të menaxhimit të një aleance të vështirë, mes dy partive që nuk kanë qeverisur ndonjëherë në nivel kombëtar.

Në dritën e prozhektorëve përfundoi për herë të parë në zgjedhjet e 4 marsit, kur emri i tij u paraqit nga “5 yjet” si ai i ministrit të mundshëm të Administratës Publike, që do të ngarkohej me pastrimin e burokracisë famëkeqe dhe komplekse të vendit.

“Si fillim, ne duhet të rrëzojmë plot ligje të padobishme”, do të deklaronte asokohe. Profili i tij në “whatsapp”, siç raportojnë mediet italiane, reflekton mënyrën e vet të të menduarit. Bëhet fjalë për një citat të presidentit amerikan John F. Kennedy: Çdo arritje fillon me vendimin për ta provuar!

Conte është cituar gjithashtu të pohojë se ka votuar për të majtën, por se ideologjitë e shekullit të XX nuk u përshtaten më politikave të shekullit të XXI-të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA