Dua Lipa pushtoi skenën e Billboard Music Awards në Las Vegas, me një performancë shpërthyese të hitit të saj “New Rules”, i renditur në majat e klasifikimeve britanike.
Ylli shqiptaro-britanik i muzikës pop mbante një veshje të purpurt gjatë shfaqjes dinamike, ku shoqërohej nga flota e saj e kërcimtarëve dhe një zog flamingo ngjyrë rozë.
Një prej protagonistëve të ceremonisë që vlerëson dominuesit e sezonit muzikor, ishte padyshim Janet Jackson e cila tërhoqi çmimin e ikonës, 9 vjet pas daljes së fundit në skenë. Motra e legjendës së popit, Michael Jackson këndoi për publikun disa prej pjesëve të saj më të famshme.
Temat sociale ishin në plan të parë. Kelly Klarkson theksoi rëndësinë e masave ndaj kontrollit të armëve, pas masakrës në liceun e Santa Fe-së, ndërsa Janet Jackson dhe Taylor Swift, e vlerësuar si artistja më e mirë femër, ngritën zërin kundër abuzimeve seksuale.
Artisti më i mirë mashkull u shpall Ed Sheeran ndërsa si albumi me më shumë shitje u vlerësua ‘Reputation’ i Taylor Swift. Mes performancave më të spikatura ishin ato të Demi Lovatos dhe Christina Aguilerës.
Top Channel