Rikthehen legalizimet. Lame paralajmëron edhe ndërtuesit e pallateve të braktisura

22/05/2018 11:07

Qytetarëve që procesi i legalizimit i ka mbetur pezull prej një viti, për shkak të drejtorëve teknikë të vendosur një vit më parë, pas marrëveshjes politike të 17 majit mes Ramës e Bashës, duhet të paraqiten pranë drejtorive të ALUIZNI-t për të përfunduar procesin.

Bllokimi artificial i legalizimit të banesave dhe pronave tashmë ka përfunduar dhe nga nesër do të shpallen edhe listat e qytetarëve përfitues.

“Bllokimi artificial i procesit të legalizimeve para zgjedhjeve krijoi një stok qytetarësh të cilët kishin përfunduar procesin e legalizimit përmes ALUIZNI-t, por që nuk mund ta përmbyllnin atë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratuan 4 vendime qeverie që i japin zgjidhje këtyre qytetarëve. Bëhet fjalë për kalimin e pronësisë për 361 000 metër katrorë parcela në të gjitha qarqet e vendit. Gjithashtu, u miratua shpërblimi financiar prej 311 milionë lekësh për 1968 pronarë e trashëgimtarë, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Duke nisur nga nesër, në gazeta dhe faqen e ALUIZNI-t do të gjëni listat e qytetarëve përfitues. Lajmëroj familjet që presin prej një viti kalimin e parcelës së pronësisë se ky proces ka përfunduar. Ata që do të gjejnë emrin në lista, duke nisur nga e hëna të paraqiten pranë drejtorive tona rajonale për të përmbyllur procesin e legalizimit”, deklaroi kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Kreu i ALUIZNI-it paralajmëroi të gjithë ndërtuesit, pallatet e të cilëve janë braktisur, se kanë kohë edhe një javë për t’u bërë pjesë e procesit të legalizimit, në të kundërt javën e ardhshme do të nisin masat ekstreme.

Top Channel mësoi se masat ndëshkuese nuk janë përcaktuar ende, ndërsa ato do të shënjestrojnë kryesisht pronarët që nuk kanë nisur procesin e hipotekimit të pallateve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA