Në Venezuelë, ku ka pllakosur uria dhe pakënaqësia me regjimin, Nicolas Maduro fitoi zgjedhjet presidenciale, duke siguruar kështu një mandat të dytë në krye të shtetit të varfër komunist.

Opozita që bojkotoi votimin këmbëngul se zgjedhjet janë manipuluar dhe nuk e njeh legjitimitetin e votës, që e mban Maduron në krye të shtetit për 6 vite të tjera.

Autoriteti zgjedhor i vendit flet për një pjesëmarrje në nivelin 48%, por kundërshtarët politikë dhe organizatat ndërkombëtare thonë se ajo nuk ka mundur të kalojë as 30 përqindëshin, një reflektim i qartë ky i efekteve që ka pasur mbi elektoratin kriza e thellë ekonomike dhe mungesa e ndjeshme e ushqimeve në treg.

Që koalicioni opozitar do t’iu qëndronte larg qendrave të votimit, kjo ishte e ditur tashmë, ndaj dhe fitorja e Maduros konsiderohej fakt i kryer. Ajo që iu interesonte më shumë vëzhguesve ishte të shihnin se në çfarë mase do të dilnin venezuelianët në votime.

Në presidencialet e vitit 2013, qendrave të votimi iu drejtuan gati 80% e vendasve me të drejtë vote. Koalicioni opozitar i pati paralajmëruar që në muajin dhjetor lojërat e pushtetit me zgjedhjet. Disa prej kandidatëve më premtues të tij iu ndalua pjesëmarrja, ose përfunduan në burg, ndërsa të tjerë u detyruan të largoheshin nga vendi.

Përfaqësuesi kryesor, Henri Falcón denoncoi ato që i quajti abuzime me skanimin e kartave përfituese shtetërore që përdoren për të siguruar ushqim, duke thënë se kjo skemë është shfrytëzuar në favor të Maduros.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA