Madridi bllokon këshilltarët e presidentit të Katalonjës

21/05/2018 13:03

Qeveria spanjolle njohu këtë të hënë fuqitë e udhëheqësit të sapozgjedhur katalanas, Quim Torra, por kundërshtoi zgjedhjet e këshilltarëve të tij, disa prej të cilëve janë ende në paraburgim, duke refuzuar kështu të ratifikonte ekipin e tij qeverisës sipas asaj që tregojnë dokumentet zyrtare.

Këto zhvillime nënkuptojnë se Madridi do të vazhdojë me sundimin e drejtpërdrejtë të rajonit verilindor të vendit. Torra, një separatist që kërkon të rikrijojë administratën që shpalli pavarësinë nga Spanja në tetor, zgjodhi 4 persona si këshilltarë të tij, të cilët ose janë në paraburgim, ose jetojnë në ekzil të vetimponuar.

Madridi dhe Barcelona janë përfshirë në një mosmarrëveshje disamujorshe që prej zgjedhjeve rajonale të thirrura nga qeveria qendrore në dhjetor, që nuk bëri gjë tjetër veçse ua riktheu shumicën e vendeve të Parlamentit rajonal partive pro pavarësisë.

Bazuar mbi kushtet e legjislacionit të emergjencës të hartuar për shkarkimin e administratës katalanase, Madridi mund të heqë dorë nga sundimi i drejtpërdrejtë sapo të formohet qeveria katalanase dhe të shpallen të gjithë emrat.

Por, qeveria e Madridit njoftoi se, emërimi i 4 personave të akuzuar për krime të tilla si rebelimi dhe shpërdorimi i fondeve publike, përbën thjesht një provokim të qëllimshëm. Kjo e bën të paqartë tashmë se kur do të hiqet sundimi i drejtpërdrejtë nga Madridi.

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy deklaroi këtë të hënë se, shpresonte që Katalonja të formonte së shpejti një qeveri të shëndetshme që do t’u përmbahet ligjeve në fuqi.

“Shpresoj që të kemi së shpejti një qeveri të qëndrueshme, që i përmbahet zbatimit të ligjeve dhe që hyn në dialog me ne – tha Rajoy në një event të zhvilluar në Galicia. – Një qeveri që do të punojë për të rikthyer normalitetin institucional dhe politik në vendin tonë”.

Gjykatat spanjolle vendosën se referendumi i 1 tetorit të shkuar për pavarësi, e rrjedhimisht edhe deklarata e pavarësisë, ishin të paligjshme, sepse binin ndesh me Kushtetutën e Spanjës, që thekson se kombi është i pandarë.

Rajoy u ka telefonuar dy udhëheqësve të opozitës, Pedro Sanchez të socialistëve dhe Albert Rivera të “Ciudadanos”, gjatë së shtunës, për të diskutuar me ta mbi situatën dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre. Këto dy parti, që së bashku me Partinë Popullore të qendrës së djathtë të Rajoyt përbëjnë shumicën në Parlamentin spanjoll, ranë dakord se sundimi i drejtpërdrejtë i Katalonjës duhet mbajtur ende, derisa të formohet administrata rajonale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA