Kina dhe SHBA vendosën që të ndalojnë implementimin e tarifave ndëshkuese ndaj njëra-tjetrës, duke ndalur të paktën për momentin luftën tregtare.
Marrëveshja u bë pas bisedimeve në Uashington, ku SHBA-ja u përpoq të bindte Kinën të blinte 200 miliardë dollarë mallra dhe shërbime amerikane për të reduktuar deficitin tregtar.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin nuk foli për shifra konkrete, por tha se SHBA-ja do të vendosë tarifa që arrijnë 150 miliardë dollarë nëse Kina nuk implementon marrëveshjen. Mësohet se së shpejti, Sekretari amerikan i Tregtisë, Uillbur Ross do të shkojë në Kinë për të finalizuar detajet e marrëveshjes.
Kjo e fundit u bë pas kërcënimeve amerikane me tarifa të rënda për produktet kineze, pas një raporti të Uashingtonit që zbuloi praktika të pandershme tregtare të Kinës. Edhe Pekini kërcënoi fillimisht raprezaljen me tarfia, por duket se pas bisedimeve ka vendosur se tregtia është një opsion më i mirë sesa lufta tregtare. Zëvendëskryeministri kinez, Liu He e përshkroi marrëveshjen si një zgjidhje që kënaq të dyja palët.
Sipas tij, zhvillimi i shëndetshëm i raporteve tregtare mes Kinës dhe SHBA-së do të rezultojë në një bashkëpunim shumë të gjerë në energji, bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe financë. Të dyja palët pranuan se ndryshimet do të kërkojnë një farë kohe, prandaj dy vendet duhet t’i trajtojnë diferencat mes tyre përmes dialogut dhe me qetësi në të ardhmen.
Top Channel