Euro vret eksportet. Çmimi i bimëve mjekësore ulet, preken 90 000 të punësuar

21/05/2018 14:26

Forcimi i lekut ndaj euros ka filluar që të kërcënojë me faliment industritë që punojnë tërësisht për eksport. Alarmin e kanë dhënë eksportuesit e bimëve mjekësore, të cilët i kërkuan qeverisë që të ndërhyjë për të shpëtuar vendet e punës.

Filip Gjoka, President i Industrisë së Bimëve Medicinale, u shpreh: “Të ndërhyjë me qëllim që të ruajmë këto tregje, që mezi i kemi ndërtuar në 27 vjet dhe me qëllim që të ruajmë vendet e punës, të cilat janë vende pune në zonat rurale, më të varfra të vendit”.

Sipas Gjokës, industria e bimëve mjekësore punëson rreth 90 000 persona në shkallë vendi, duke siguruar të ardhura për shtresat më të varfra të shoqërisë. Ndaj, ai ka kërkuar lehtësim taksash nga qeveria.

“Të ulet tatim-fitimi për 6 muaj për kompanitë eksportuese, të ulen edhe vizitat fiskale, që për hiçgjë çojnë subjekte drejt penalizimit”, shtoi Gjoka.

Bimët mjekësore të Shqipërisë eksportohen kryesisht në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj, kompanitë eksportuese janë prekur si nga dobësimi i euros, ashtu edhe dollarit amerikan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA