Artan Hoxha është njëri nga ekspertët e nivelit të lartë që dy vjet më parë u angazhua me profesionistët e ligjit për ndryshimet kushtetuese. Por Profesori Hoxha që gjithashtu është njeri prej flamurtarëve të vettingut, ngre zërin ndaj ritmeve të reformës.
Në një intervistë për Top Channel ai thotë se vettingu nuk po ecën në drejtimin e duhur dhe i apelon politikës që të ulet sa më shpejt për të rishikuar zbatimin e saj.
“Komisonet e vettingut duhet të përqendrohen në institucionet kryesore, mbi të cilat bazohet riorganizimi i sistemit gjyqësor dhe i prokurorisë. Unë mendoj që fokusimi tek gjyqtarët e lartë, apo tek drejtuesit e gjykatave, i verifikimit të integritetit të tyre, për mendimin tim, nuk e them dot që është i gabuar, por nuk është një orientim i drejtë”, u shpreh Prof. Artan Hoxha.
Po përse komisionerët e vettingut duhet të verifikojnë sa me shpejt kandidatet për në institucionet e reja te drejtësisë?
“Sepse nga këto tre organe varet riorganizimi i gjyqësorit. Sot kemi Gjykatë Kushtetuese të bllokuar, po mos të kemi, Këshillin e Emërimeve në drejtësi (KED) që bën renditjen e kandidatëve, po mos të kemi Këshill të Lartë Gjyqësor (KLGJ) , atëherë nuk do kemi gjyqtarë të lartë, nuk do kemi riorganizim të sistemit, po mos të kemi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) nuk do kemi riorganizimin e prokurorisë së posaçme SPAK dhe Byrosë së Hetimit. Unë do të thosha se e gjithë veprimtaria e integritetit duhet të jetë për këta. Po të isha unë do ndërprisja çfarëdolloj verifikimi tjetër dhe do merresha vetëm me këta kandidatë. Ndryshe ne do ta vonojmë reformën edhe dy vjet të tjera, që nuk ishte ky qëllimi i reformës”, thekson Hoxha.
Në situatën kur janë zhvilluar vetëm tetë seanca vettingu dhe gjithçka duket larg, përveç apelit drejtuar 12 komisionerëve të shkallës së parë, profesori Hoxha ka një mesazh edhe per politikbërësit.
“Qeveria, Kuvendi duhet të ulen, pas një viti e sa, gati dy vjet që reforma ka filluar funksionimin e saj, të verifikojnë strategjinë e zbatimit të reformës. Nëse do ketë nevojë për të rishikuar diçka, nuk ka asgjë të gabuar të rishikosh”, shprehet ai.
Eksperti nuk e fsheh befasinë nga rezultati 5 me 3, pra më shumë të shkarkuar se të konfirmuar në detyrë, dhe që nëse ruan këtë standard atëherë, nuk është çudi që drejtësia të boshatiset.
“Ne kemi qenë një ekonomi informale, jemi një ekonomi informale dhe kushdo mund të gjendet në pamundësi për të shpjeguar disa momente financiare të jetës së tij, nga pikëpamja formale, unë do thoja që do kujdes edhe procesi i verifikimit, aty ku realisht gjyqtarët dhe prokurorët tregojnë se nuk e justifikojnë dot pasurinë e tyre, aty po. Kurse aty ku nu gjejmë dot formalitete se nga vjen e ku vjen, atëherë këtu duhet të jemi më të kujdesshëm. Sepse ndryshe ne nuk do kishim nevojë për këtë reformë. Nëse ne do kërkojmë një standard shumë të lartë, atëherë sistemi do ketë probleme shumë të mëdha që do të thotë, do kemi shumë gjyqtarë e prokurorë që do lënë detyrën”, shprehet Artan Hoxha.
Top Channel