Edhe pse ishte vetëm 9 vjeç, Adnan Nasufi nuk mund ta fshijë nga kujtesa 16 shtatorin e vitit 1946.

Një grup prej shtatë vetësh, ish-xhandarë dhe oficerë të regjimit të Zogut, u pushkatuan rrëzë një kodre në Dobrovë të Peshkopisë, mes të cilëve xhaxhai dhe daja i tij. Edhe pse një fëmijë i pafajshëm në atë kohë, kujton me dhimbje se që nga ai moment nisi persekutimi.

“Edhe nuk mund t’i qanim, se na thoshin për kë po qani, për armikun”, tregon Adnan Nasufi.

E mban mend mire vendin ku u ekzekutuan pa gjyq ata. Por të nesërmen nuk mund të shkonin të merrnin as kufomat e tyre.

“Këtu te agjencia e transporteve ka qenë një gropë dhe tani është mbushur. Po nuk mund t’i kërkojë, ishte absurde t’i kërkoje”, shprehet Nasufi.

18 vite internime nga njëri kamp në tjetrin. Ka provuar edhe burgun e Spaçit edhe atë të Qafë Barit, por si më të tmerrshmin kujton kampin e Tepelenës.

“Ka qenë çnjerëzor. Jetonim në kazerma ushtarësh në dërrasa, pa dyshek. Na jepnin vetëm 400 gram bukë. Shkonim në shkollë dhe kur ktheheshim nuk kishim ç’të hanim më”, shprehet Adnan Nasufi.

Adnani tregon se tortura vazhdoi edhe pas mbaruan viteve të dënimeve dhe persekutimeve.

“Po edhe kur u kthyem, as njerëzit tanë nuk na flisnin, as dorën në rrugë nuk na jepnin. Nuk na ftonin nëpër dasma se kishin frikë”.

Por ka peng se jo vetëm ai dhe vëllezërit dhe motra nuk mundën të arsimoheshin, por dhe fëmijët e tij u privuan nga arsimi.

“Shkollën e mesme e bëra natën kur isha 45 vjeç. Ditën shkoja në punë, natën në shkollë. Por dhe fëmijët e mi nuk i lanë të bëjë gjimnazin. Shkonin në shkollë bujqësore”.

Në shtatëshen e Dobrovës u pushkatua pa gjyq edh gjyshi, i cili i kërkon me çdo kusht qevrisë gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve pa gjyq. E ka amanet nga nëna e tij.

“Ne kërkojmë të gjenden me çdo kusht eshtrat. Kanë gjetur varret e ushtarëve në Ersekë, të grekve dhe të italianëve. Duhet të gjenden pasi dikush ka firmosur. Nëna ime ka ndërruar jetë. Amaneti i saj i fundit kanë qenë gjetja e eshtrave të babës tim. Nuk ka as vëlla, as motër”, thotë Erion Doda, i persekutuar.

Dibranët nuk reshtin së kërkuari eshtrat e të pushkatuarve pa gjyq gjatë regjimit komunist, të cilët nuk janë pak.

“Kemi shumë të pagjetur. Halil Alinë e kanë vrarë në Kukës dhe e kanë varrosur atje, eshtrat nuk janë gjetur. Lushët nuk janë gjetur, Kalosht nuk janë gjetur. Janë rreth 100 që nuk janë gjetur”, tregon Ilmi Spata, shoqata e të përndjekurve politikë.

Në Dibër janë 295 të pushkatuar një pjesë e të cilëve as dëmshpërblimet nuk i kanë marrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA