Rehova është një nga zonat më të njohura të Kolonjës. Fshati karakteristik që është braktisur, po kërkon të ngjallë ekonominë e gjithë krahinës. Një festë e përvitshme hap dyert për vizitorët dhe rikthen edhe ata që e kanë lënë prej vitesh këtë fshat. Vendasit thonë se synojnë që të tërheqin sa më shumë turistë përmes traditës dhe kulturës.
Rruga e Portave, ka bërë që qendra e Rehovës, të hyjë tek zonat e mbrojtura nga ministria dhe qeveria. Në Rehovë behet edhe festa e Rehovës, e cila është bërë pjesë e kalendarit zyrtar të festave lokale të të gjithë Shqipërisë.
Banorët në Rehovë pretendojnë të bëjnë turizëm, bujqësi dhe blegtori, megjithatë thonë se është shumë e vështirë që të ngjallet ekonomia e këtij fshati dhe e kësaj zone.
“Te rinjtë të tërë, kanë ikur, kanë emigruar dhe tani nëpër familje kanë mbetur prindërit e tyre. Shumë pak ka të rinj që janë këtu. Punojnë në Ersekë në zanate të ndryshme, po shumica janë pa punë. Duhet të jenë të rinjtë këtu që ta lulëzojnë fshatin dhe ta kthejnë në atë Rehovë që ka qenë kur unë kam qenë nuse këtu”, shprehet Nikoleta Thoma, banore e zonës.
Në Rehovën e traditës dhe kulturës sot ka pak banorë. Fshati dikur shquhej për zanatçinjtë e tij ndërsa sot kjo ka mbetur në histori.
“Ka qenë fshat i shumë profesioneve, ka patur mjeshtra, ka patur gurgdhendës profesioniste, qe kane punuar edhe jashtë. Ka patur marangozë, këpucarë, kovaçë. Sot këtu punojnë vetëm 18 pleq dhe gratë. Mungon dhe shkolla fillore”, shprehet Bardhyl Prifti, shkrimtar.
Festa e Rehovës tani e tutje do të synojë të kthehet në një ndër vatrat e tërheqjes së turisteve dhe vizitorëve për këtë fshat piktoresk dhe krahinën e Kolonjës. Çdo 19 Maj, Rehova do të presë këdo që kërkon të bëhet një me natyrën, të shijojë ajrin e pastër, apo te shijojë gatimin tradicional të krahinës.
Edliri, punon një nga bujtinat e zonës dhe solli në festën e këtij fshati produktet që mund të shijojnë vizitorët atje.
Festa e përvitshme e Rehovës, kërkon të promovojë e t’i japë një zhvillim edhe bujqësisë dhe blegtorisë së krahinës. Fatmiri prej 40 vitesh merret me rritjen e bletëve, një aktivitet që sipas tij, has shumë vështirësi në treg.
“Kemi problem sëmundjet e bletëve dhe kemi problem medikamentet qe nuk janë edhe aq cilësore. Kemi patur një subvencionim të vogël, por gjithsesi nuk ishte keq, ndërsa tani na kane thënë shumë, kemi aplikuar dhe nuk kemi marrë gjë”, shprehet Fatmir Metko, bletërritës.
Rehova, fshati piktoresk dhe i arkitekturës së veçantë, tashme është bërë pjesë e projektit qeveritar të 100 fshatrave me potencialin më të madh për të zhvilluar agro-turizmin.
Top Channel