Nuk ka kërkim shkencor; Studimi për Universitetet: Shqipëria e fundit në rajon

20/05/2018 19:38

Një raport për kërkimin shkencor në universitete e rendit Shqipërinë si vendin e fundit në rajon. Po ashtu edhe ato pak kërkime që janë, kanë impaktin më të ulët ekonomik, mjedisor apo social.

Numri i artikujve shkencore të publikuara nga Shqipëria është më i ulëti në rajon. Në 2017, vendi ynë prodhoi 1.7 produkte shkencore për 10,000 banorë, e ndjekur nga Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Kjo është vetëm një nga gjetjet e raportit mbi kërkimin shkencor të universiteteve në Shqipëri. Një tjetër fakt, që evidenton raporti është se produktet shkencore të publikuara nga vendi ynë kanë gjithashtu impaktin më të ulët ekonomik, mjedisor, social dhe shëndetësor, në rajon. Madje, raporti ngre dyshime të forta se me dhënien e gradave shkencore në Shqipëri është abuzuar. Sipas tij, në vitet 2008-2016, në vendin tonë janë dhënë mbi 1371 tituj akademik profesor i asociuar, ndërkohë që 58% e artikujve janë botuar në revista shkencore të paindeksuara, duke marrë tituj akademik të pamerituar.

Pedagogu i jashtëm në fakultetin e Mjekësisë, Ervin Mingomataj, mjek alergolog në QSUT, është shembulli konkret sesi me diplomë doktorature të përfunduar në gjermani nuk arrin të emërohet si pedagog i brendshëm.

“U dorëzuan dokumentet, janë në rektorat, asnjë s’është marrë me ato. mund të mos jem llogaritur si elektorat i sigurt i atyre që kam mbi kokë, qenia jokonformist. nga dosja duhet të isha patjetër profesor”, shprehet Ervin Mingomataj.

Në raport thuhet se për titujt shkencorë të dhënë në vitin 2017 dëmi ekonomik i shkaktuar është i konsiderueshëm në krahasim me buxhetin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në vend. Mingomataj, thotë se ka një arsye për këtë: “Nuk investohet për kërkimin shekncor, duke mos pasur eksperiment nuk ke cfarë prodhon për të pasur impakt”.

Sipas raportit, mbi 80% e rektorëve të universiteteve private dhe publike nuk kanë artikuj shkencor në revista të indeksuara me faktor impakti, si autor i parë.

Por, edhe në ato raste, kur persona të caktuar janë autorë të parë, jo pak raste kanë rezultuar plagjiaturë. Si rasti i Gledjan cakës, pedagogut te shkencat e natyrës, rast i denoncuar më herët nga top channel, dhe që ju hoq grada doctor shkencash. Por, përtej raportit, akademikët vetë kanë ngritur shqetësimin se në Shqipëri nuk prodhohet kërkim shkencor, pasi nuk ka laboratorë, nuk ka mjete, nuk ka staf, por edhe sepse institucionet që dikur merreshin me kërkim, sot janë shpërbërë.

Si rasti Akademisë së Shkencave, në shtator të 2017-s, kur Edi Eama paralajmëroi ndërprerjen e fondeve për kërkimin, pas zgjedhjeve që ai i quajti farse.

Edhe në atë kohë, disa akademikë i kërkuan Ramës përmes një letre që të mos lejojë shpërbërjen e institucionit, por të bashkëpunojë për rilindjen e Akademisë së Shkencave, duke pranuar me dinjitet se është koha që të ndërmerret një reformë për transformimin e saj në një qendër kërkimore konkurruese ekselente. Por, thuajse 1 vit më vonë, Akademia e Shkencave mbetet në të njëjtën gjendje, ndërsa akademikët presin me sytë nga Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA