Fshikullima e akuzave të dhunës seksuale nuk ka kursyer së fundi as njërin prej regjisorëve më të famshëm francezë, Luc Besson. Policia në Paris është duke hetuar pretendimet e ngritura ndaj tij për përdhunim.
Ankesa është depozituar nga një aktore, të cilën 59-vjeçari e njeh, por thotë se bëhet fjalë thjesht për ide që kalojnë në nivel fantazie, ndërsa këmbëngul se kurrë nuk është sjellë në mënyrë të pahijshme me gruan në fjalë.
Regjisori i filmave të tillë si Leon, Metroja, Elementi i pestë dhe Nikita, i solli së fundi publikut epikën fantastiko-shkencore, Valeriani dhe qyteti i njëmijë planeteve, ku interpretonte edhe modelja Cara Delevingne.
Asia Argento e riktheu temën nevralgjike të momentit në festivalin e Kanës, ku i akuzoi pa bërë emra disa prej të pranishmëve se i kanë mbuluar krimet e Harvey Weinsteinit.
Aktorja deklaroi se Weinstein e ka përdhunuar në 1997-ën, pikërisht në qytetin bregdetar. Isha 21-vjeç, kujtoi ajo, dhe ky festival ishte terreni i tij i gjuetisë.
Dua të bëj një parashikim: Weinstein nuk do të jetë kurrë më i mikpritur në këtë vend, por edhe ju të tjerët i dimë se kush jeni, ishte deklarata e fortë e Argentos.
Festivali e uli siparin me çmimin e tij të madh “Palma e artë”, që këtë herë i shkoi një regjisori japonez, Hirokazu Kore-eda dhe dramës së tij familjare “Shoplifters”.
Top Channel