Presidenti Ilir Meta ka organizuar një pritje me fëmijë dhe të rinj jetimë në kuadër të 20 majit, ditës kombëtare të Jetimëve.
Ai u shpreh mbështetjen e tij të pakursyer, teksa vlerësoi edhe sloganin që kishin zgjedhur: ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’.
“Ne në fakt kemi qenë një komb jetim për një kohë të gjatë derisa kemi gjetur veten dhe besoj se tani nuk jemi një komb i tillë, jemi një komb shumë më i sigurt për të ardhmen e tij. Jemi anëtarë në NATO, jemi pranë Bashkimit Evropian dhe shpresojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian.
Natyrisht që BE ka parime shumë të rëndësishme demokratike, shoqërore, njerëzore, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen sociale, me integrimin shoqëror dhe me detyrimin e shoqërisë për t’u kujdesur për çdo individ, aq më tepër për çdo fëmijë.
Është e rëndësishme që të shohim modelet më të mira, të cilat vijnë nga kjo përvojë dhe ne kemi pasur rastin gjatë nëntorit të kaluar të organizojmë një javë në solidaritet me fëmijët jetimë, me shumë aktivitete të ndryshme, ku kishim ftuar edhe personalitete të shquar të shoqërisë, të kombit, të kulturës, të sportit, të shkencës, të cilët në të kaluarën kanë qenë fëmijë jetimë, ndërsa falë karrierës së tyre janë tashmë një frymëzim për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e talentuar”, është shprehur Meta në fjalën e tij.
Ai foli për më shumë më shumë përgjegjësi për të krijuar një ambient më të sigurtë, më frymëzues e më angazhues për të rinjtë e për fëmijët që ëndrrat e tyre t’i shohin të realizueshme pikërisht në këtë mjedis. “Vështirësitë apo mungesat që ju keni pasur në jetë unë besoj se ua kanë forcuar edhe më shumë lidhjen edhe me njëri-tjetrin, me edukatoret e me të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm të cilët kujdesen për ju”, vijoi ai.
Top Channel