Udhëheqësit e partive politike në Maqedoni kanë zhvilluar një takim, në të cilin kanë diskutuar për çështjen e emrit dhe negociatat me Greqinë.
Kryeministri Zoran Zaev tha për mediet se emri “Ilindenska Republika Makedonija” është propozimi, për të cilin mund të ketë kompromis me Greqinë.
“Informova presidentin dhe kryetarin e Kuvendit se qeveritë e të dy vendeve flasin për një opsion që mund të jetë Ilindenska Republika Makedonija (Republika Ilindenase e Maqedonisë). Ky është propozimi rreth të cilit mund të ketë kompromis me Greqinë. Me këtë garantohet identiteti i maqedonasve, një vend shumetnik duke përfshirë shqiptarët, romët, turqit, vllehët dhe të tjerët. Ilindeni nuk ka asnjë aspiratë territoriale ndaj asnjë shteti, përfshi edhe Greqinë”, tha Zaev.
Ilindeni është dita e Republikës në Maqedoni, një festë e rëndësishme kombëtare. Ajo festohet më 2 gusht dhe është edhe një festë e madhe fetare, dita e Shën Ilias. Ajo kujton dy ngjarje të mëdha në vendosjen e shtetësisë së Maqedonisë: kryengritja e Ilindenit në vitin 1903, kundër Perandorisë Osmane, gjatë të cilës u shpall një republikë jetëshkurtër; si dhe Asamblenë e parë të 1944-s, gjatë Luftës së Dytë Botërore, që hodhi themelet e Republikës moderne të Maqedonisë.
Top Channel