Në këtë stinë të vitit ujërat termale në Tregan të Elbasanit frekuentohen në masë. Dikush me rekomandim të mjekut, e dikush jo, të gjithë përpiqen të gjejnë kurim në vetitë e këtyre ujërave. Në këtë periudhë Tregani pret kryesisht qytetarë të Kosovës dhe Maqedonisë.
Janë rreth 50 subjekte hotelerie që ofrojnë shërbim në llixhat e Elbasanit ndërsa numri i frekuentuesve arrin në rreth 10 mijë persona çdo vit. Shumica e hoteleve ofron tashmë edhe shërbimin mjekësor, i cili është i domosdoshëm, por problem në këtë drejtim mbeten pikat ilegale dhe ato amatore.
Ujërat termale të Treganit njihen për vlera të larta terapeutike. Ato rekomandohen për sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, reumatizmës, por së fundmi edhe për vlerat e tyre kozmetike. Hoteli i parë në këtë zonë u hap në vitin 1932.
Top Channel