Të gjitha shkollat e Tiranës do të pajisen me laboratorë modernë për zhvillimin e lëndës së teknologjisë së informacionit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani përuruan laboratorin e ri të informatikës në shkollën “Vasil Shanto”, i cili përmirëson ndjeshëm mësimdhënien në fushën e IT.
“Jam shumë i lumtur që sot po hapim një laborator informatike, që vjen si një investim konkret me 14 kompjuterë për klasën e informatikës në shkollën ‘Vasil Shanto’. Unë e di që Tirana ka 226 shkolla, por duke folur për të 226 nuk zgjidhim gjë, ama duke folur për secilën prej tyre e duke bërë çdo ditë nga një punë me miq që dhurojnë diçka konkrete, atëherë mund transformojmë çdo shkollë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me donatorët, do ta shtrijë projektin e ndërtimit të laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e qytetit.
“E filluam fillimisht investimin tonë me terrenet sportive, të cilat pasditeve dhe në fundjavë janë të zëna, që do të thotë se nisma për hapjen e terreneve sportive për komunitetin ishte një strategji ideale. Pastaj, filluam me rikonstruksionin e shkollës, tani do të kalojmë tek palestra. Është shumë e rëndësishme që të investojmë edhe në infrastrukturë, por edhe në dhënien e dijeve, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. Duam që ta vijojmë këtë edhe me donatorë të tjerë, në të gjitha shkollat e Tiranës, për t’i pajisur ato me laboratorë modernë”, tha Veliaj.
Një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e të rinjve për teknologjinë e informacionit do të jetë japë edhe transformimi i Piramidës, e cila shumë shpejt do të kthehet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e nismash, por edhe një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.
Top Channel