Policia në Malajzi ka konfiskuar qindra kuti me sende të vyera dhe çanta me kartëmonedha të huaja nga pronat e lidhura me ish-kryeministrin Najib Razak, Kontrollet në pronat në kryeqytetin Kuala Lumpur, janë të lidhura me hetimet mbi një fond zhvillimi shtetëror 1MDB.
Akuzat për korrupsion ndaj 1MDB ishin një nga shkaqet kryesore të humbjes në zgjedhje të Najib, përballë ish aleatit të tij Mahathir Mohammad.
Miliarda dollarë të fondit të ngritur nga Najib, janë të pagjurmueshme. Vetë Najib akuzohet se ka përvetësuar 700 milionë dollarë, akuzë që ai e mohon.
Ai ka dalë i pastër nga autoritetet malajziane, por është hetuar nga disa vende të tjera. Mahathir ndërkohë ka thënë se po merr në konsideratë mundësinë e rihapjes së çështjes dhe se ai beson që paratë e humbura mund të gjenden. Ai e ka ndaluar Najib të largohet nga vendi. Aksionet e policisë në zyrën e Najib, rezidencën private të tij dhe disa prona të tjera të lidhura me të, vijojnë prej ditësh, të hapura madje për mediat.
Avokati i Najib është ankuar duke thënë se kontrollet janë të ekzagjeruar dhe se sendet e konfiskuara mund të jenë të një vlere jo domethënëse. Në pjesën më të madhe të azisë juglindore, zakonisht, të fuqishmëve dhe të pasurve u garantohet një shkallë privatësie kur përballen me hetime kriminale, por kjo nuk ndodh në rastin e Najib.
Top Channel