Një vendgrumbullim mbetjesh, vetëm 3 kilometra larg Patosit, vë në rrezik çdo ditë 33 mijë banorët e qytetit, por dhe fshatrave Ruzhdie e Rusinje.
Mes 30 tonë mbetje që hidhen çdo ditë gjen pajisje spitalore, doreza që përdoren nga personeli mjekësor dhe ambalazhe medikamentesh.
Mbetjeve u vihet flaka dhe era shtyn drejt qytetit e fshatrave kundërmimin e rëndë të resë me kimikate që çlirohet nga djegia jo vetëm e mbetjeve spitalore, por dhe ato të një fabrike këpucësh, pajisjeve elektroshtëpiake etj.
Natyrisht që ato nuk asgjësohen dhe çfarë mbetet bashkë me hirin është edhe më e rrezikshme. Për grumbullimin e mbetjeve në qytet dhe hedhjen e tyre është përgjegjëse bashkia e Patosit, por nënkryetarja Rajmonda Balilaj, e kontaktuar nga Top Channel, thotë se të paktën mbetjet spitalore nuk janë të qendrës shëndetësore të qytetit, por të një klinike private për të cilën nuk flet, por i kërkon mediave të hetojnë.
Por ndërkohë, zinxhiri i ndotjes nga mos menaxhimi i mbetjeve të hedhura në vendin e gabuar nuk kursen as tokat bujqësore dhe blegtorinë, ndërsa banorët e qytetit dhe fshatrave të më afërt jetojnë çdo ditë me frikën e infeksioneve nga papastërtia që përhapet me ajrin dhe ujin.
Top Channel