Shqetësimin për keqtrajtimin e personave të shoqëruar në komisariatet e policisë e ka ngritur pothuajse çdo vit edhe Avokati i Popullit.
Në raportin e vitit 2016, që është i fundit i publikuar, ky institucion thotë se ka administruar 163 ankesa nga qytetarët në pjesën ku flitet për të drejtat e personave të ndaluar dhe të shoqëruar në organet e policisë.
“Nga shqyrtimi i ankesave të administruara rezulton se disa prej tyre kanë qenë të bazuara dhe konkretisht për ushtrim dhune fizike, për trajtim jo human, për arrestime ose shoqërime të paligjshme, për mosdhënie të kopjeve të procesverbaleve të kontrollit të banesave të bllokimit të sendeve apo dokumentacionit të shoqërimit, si dhe për mosmarrjen e kallzimeve të bëra nga shtetasit”, lexohet në raport.
Në vitin 2016, Avokati i Popullit ka referuar në prokurori 8 raste për ndjekje penale të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Burgjeve.
Ndërkohë, për rastin e fundit në qytetin e Korçës, Top Channel kërkoi një qëndrim nga ky institucion, që u refuzua me arsyetimin se çështja është në hetim.
Top Channel