Në Tiranë ka një përqendrim shumë të madh pika bastesh dhe kazinosh. Vetëm në “Rrugën e Dibrës”, ku Top Channel kreu një vëzhgim nga fillimi i saj deri te Farmacia 10, numërohen mbi 10 të tilla. Te “Selvia” të bëjnë përshtypje 3 pika bastesh njëra pas tjetrës dhe dy kazino fare pranë tyre.
Nuk ndryshon situata në rrugën “Xhanfize Keko”, po në kryeqytet.
“Është një sëmundje e keqe që na ka rënë. Nuk duan t’ia dinë për gruan dhe fëmijët, por shkojnë te bastet sa vijnë nga puna. Shumica e pensionistëve ende i mbajnë me bukë fëmijët. Edhe Putini i kishte hequr në Rusi. Këta i mbajnë që të merret mileti me diçka, pasi të rinjtë nuk kanë punë”, thotë një qytetar.
Ndërsa një grua shprehet: “Dëmtojnë ekonominë e familjes. Fat ka ai që e ka kazinonë, ata që luajnë vuajnë për bukën e gojës”.
“Nëse unë jam i sëmurë, duhet t’i ndjek unë pikat e basteve, jo të më ndjekin mua ato. T’i çojnë në periferi. Ka faj shteti, pasi duhet t’i kishte mbyllur me kohë këto. Ky është pastrim parash”, thonë të tjerë.
Top Channel