Në seancën e sotme parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se prej 72 orësh dëshmitari X, që del në audio përgjimin e publikuar nga PD, dhe familja e tij janë nën presion të tmerrshëm nga banda Xhafaj.
“Agron Xhafaj duhet të ishte nën arrest dhe nën hetim nga Prokuroria. Edi Rama dhe Xhafaj janë të zënë me një punë tjetër, se çfarë, do ta marrim vesh shumë shpejt. Prej 9 ditët shqiptarët dhe opinion ndërkombëtarë kanë parë fakte që janë pranuar edhe vetë nga Xhafaj. Agron Xhafaj i ka ikur gjithë këto vite drejtësisë. I ka ikur drejtësisë gjatë gjithë procesit të dënimit. Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim. Deri dje, ai ishte në Vlorë. Ai ndërroi identitetin e tij. Është fakt se Agroni vazhdonte aktivitetin e tij në Vlorë. Dje papritur, ai u nis fshehurazi për në Itali, jo si ekstradohen të dënuarit, por me avionin e linjës. Pesë vjet pa i hyrë gjemb në këmbë dhe papritur, pasi u publikuan faktet përcillet me nderime dhe mallëngjim të shtirë për në Itali.
Fatmir Xhafaj duhej të kishte dhënë dorëheqje. Fatmir Xhafaj nuk është këtu sepse është i zënë me diçka tjetër të cilën do ta marrim vesh shumë shpejt. Prej 72 orësh dëshmitari X është nën presionin e bandave dhe terrorit policor. E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe pas vetë dëshmitarit. Policia e ka për detyrë të ndalojë Agron Xahafaj, i cili është koka e drogës në Vlorë. Prokuroria e ka për detyrë të hapë hetimin. Por kanë bërë diçka tjetër, terror policor, përderisa audiopërgjigimi nuk është i vërtetë, përse i janë vënë prapa dëshmitarit X dhe jo bandave?”, tha Basha.
Më tej, Basha u shpreh se kjo është e njëjta shfaqe e “Edi Ramës që bëri edhe me Saimir Tahirin, që mbrojti Arben Ndokën, Elvis Roshin, sot ishte radha e Fatmir Xhafajn dhe vëllait të tij”.
“Edi Rama e di fare mirë se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj është kthyer në kokën e krimit. Kjo është arsyeja se pse Agron Xhafaj është nisur me urgjencë për në Itali. Shqiptarët duan ta dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo nëpërmjet laboratorëve të Surrelit”.
Kreu i PD u shpreh Rama dje nuk dha llogari pse ministri i tij i Brendshëm po pengon ligjin antimafia.
“Ai mori rolin e ekspertit të audios. Ai e ka emëruar vetë kamikazin me 69 vota. Sot e kuptojmë se pse shkeli kushtetutën. Pasi shumë prej këtyre janë të gatshëm të shkelin mbi trupa të vrarësh”.
Duke qëndruar në detyrë, Xhafaj është garancia e mos hetimit të vëllait të tij, tha Basha.
“Si për pasurinë e tij ndaj ligjit antimafia. Tani në këto momente që flasim e gjithë policia është vënë pas dëshmitarit X. Nga e morën vesh kush ishte dëshmitari X, kur përgjimi nuk ishte autentik. Jemi në një moment kritik, vendimtar, e sotmja ka nxjerrë zbuluar e do nxjerr zbuluar strukturën e plotë mafioze të Edi Ramës. Largimi i kontrolluar i Agron Xhafajt tregon se opozita kishte të drejtë. Ata e shpëtuan nga ndjekja penale në Shqipëri. Duket si një veprim i thjesht, sikur Agron Xhafaj shkoi si i penduar, por nëse do të kishte qenë kështu ai do të kishte shkuar më herët. E vërteta është se deri dje, ishte Fatmir Xhafaj që mbronte Agron Xhafajn, mafiozin e kokainës”, tha Basha.
Top Channel