Presidenti amerikan, Donald Trump pranoi të mërkurën se ishte ende e paqartë nëse samiti i planifikuar mes tij dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të zhvillohej apo jo.
Por, ai shtoi se Uashingtoni do të vazhdojë të këmbëngulë që shteti i izoluar komunist të denuklearizohet, pavarësisht kërcënimit të Penianit për t’u tërhequr nga ky takim.
Koreja e Veriut e vuri në dyshim fatin e samitit të 12 qershorit që prej mbrëmjes së të martës, me argumentin se nuk do të marrë pjesë në takimin e Singaporit nëse Uashingtoni vazhdon të kërkojë braktisjen e njëanshme të armëve bërthamore.
Peniani anuloi gjithashtu bisedimet e nivelit të lartë me Korenë e Jugut, të parashikuara për këtë të mërkurë, duke fajësuar për këtë stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes fqinjit jugor dhe Amerikës.
“Na duhet të presim e të shohim”, u tha Trump reporterëve në Zyrën Ovale, kur u pyet nëse ekzistojnë rrethanat për mbajtjen e samitit historik. “Nuk ka asnjë vendim, ne nuk jemi njoftuar…të paktën deri më tani. Nuk kemi parë asgjë konkrete dhe as kemi dëgjuar gjë”, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Por, ai konfirmoi se do të vazhdojë të shtyjë përpara çështjen e denuklearizimit të gadishullit Korean.
Anulimi i samitit, i pari që do të mbahej mes një presidenti në detyrë amerikan dhe një udhëheqësi koreano-verior, do t’i jepte një goditje të fuqishme asaj që do të ishte arritja më e madhe diplomatike e Presidencës së Trumpit.
Trump gjithsesi ka pritshmëri të larta për sukses, edhe pse gjithnjë e më shumë analistë janë skeptikë mbi mundësitë e mbylljes së distancave në lidhje me vullnetin e Koresë së Veriut për të dorëzuar arsenalin bërthamor, që sipas vendit komunist mund të godasë edhe Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët se ka ende shpresa që samiti do të zhvillohet, por konfirmoi se Trumpi është i përgatitur për negociata të vështira. “Presidenti është gati nëse takimi do të zhvillohet, – tha zëdhënësja Sarah Sanders. – Por nëse nuk ndodh, atëherë do të vijojmë me fushatën tonë të presionit maksimal”.
Top Channel