Në një intervistë për EUObserver, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati thotë se realiteti i ri i krijuar në rajon, kërkon më shumë qartësi për orientimin e sa më shumë vendeve të Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.
EUObserver shkruan se ndryshe nga samiti i Selanikut, përpjekjet e BE duhet të përballen me ndikimin rus në një mjedis të ri gjeopolitik, sipas ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. “Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në rajon dhe kërkon të ndërhyjë në reformat e drejtuara nga BE”, ka thënë ai në një intervistë për EUObserver.
Bushati tha se Perëndimi duhet të kujdeset për ndërhyrjen ruse në Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi dhe thotë se Moska ishte e përgatitur të nxiste tensione nacionaliste në rajon për të ngadalësuar reformat.
“Nacionalizmi nxitet nga palë të treta (Rusia) interesi i të cilës është destabiliteti dhe jo stabiliteti. Është një parim i rrezikshëm që ata po kërkojnë të shfrytëzojnë”, ka thënë ai.
“Rusia ka bërë më shumë deklarata publike gjatë eventeve në Maqedoni se sa BE dhe fqinjët më të afërt të Maqedonisë së bashku. Ministria e Jashtme ruse sheh me vëmendje dhe është gjithmonë e para që komenton”, vijon Bushati duke iu referuar përplasjeve politike në Shkup vitin e shkuar.
“Edhe në Shqipëri, që është gjithashtu një anëtare e NATO-s, ku ne mendonim se ishim imunë nga ndërhyrja ruse… ka një hetim lidhur me pohimet se kundërshtarët tanë politik kanë marrë mbështetje financiare nga Rusia, në shkelje të ligjit”, tha ministri.
Samiti i Sofjes
Liderët e BE po përgatiten të tregojnë përsëri angazhimin e tyre për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në Sofje të enjten.
Por samiti do të zhvillohet mes konkurrencës së rritur nga Rusia, sipas Shqipërisë, një nga kryesoret për hyrjen në BE, shkruan EUObserver.
“BE rikonfirmon mbështetjen e saj pa ekuivok për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në draft deklaratën e liderëve të BE, që disponon EUObserver.
“Duke u mbështetur në progresin e arritur deri tani, partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë rikthyer perspektivën europiane si zgjedhjen e tyre strategjikë”, është qëllimi i fjalëve të tyre. Samiti është i pari i këtij tipi që kur BE premtoi pranimin në Selanik të Greqisë 15 vite më parë.
“E ardhmja e Ballkanit është me Bashkimin Europian:, pavarësisht “zgjerimit të vazhdueshëm”, u tha në atë kohë nga udhëheqësit e BE-së. Samiti i Sofjes është krijuar për të përshpejtuar këtë progres pasi Komisioni Europian tha se Mali i Zi dhe Serbia mund të anëtarësohen në 2025.
Komisioni ka vendosur gjithashtu në garë dhe Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke rekomanduar çeljen e negociatave. Deklarata prej nëntë faqesh e Sofjes flet kryesisht për iniciativa të një rëndësie jo të madhe, siç janë autostradat, projektet e aeroporteve, dhe jo deklaratë e rëndësishme, vijon EUObserver.
Top Channel