Basha: Rama mbron Xhafajn si Tahirin dhe të tjerët! Audio-përgjimi është autentik

16/05/2018 17:26
Foto Arkiv

Partia Demokratike është e bindur në fajësinë e Fatmir Xhafajt dhe marrjen në mbrojtje të ministrit nga ana e Edi Ramës këtë të mërkurë, e sheh identik me rastin e Saimir Tahirit, Elvis Roshit, Mark Frrokut dhe Arben Ndokës.

Lulzim Basha reagoi përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale. Ai thotë se makineria e propagandës qeveritare po kërkon shpërqëndrimin e publikut.

“Është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e radhës të qeverisë. Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave.Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë. Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin”, shkruan Basha.

Ekspertët pritet të përcaktojnë nëse përgjimi i publikuar nga demokratët është montazh apo i vërtetë. Vetë Basha është i sigurtë.

“Sot ishte radha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambjentale, të pamanipuluara! Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm”, shton ai.

Basha thotë se Kryeministri Rama është në dijeni të aktivitetit të Agron Xhafajt, madje edhe që përgjimi është autentik.

“Këtë fakt nuk e mohoi dot as vetë Edi Rama sot, sepse ai e di që Agron Xhafaj është një nga kokat e krimit. Edi Rama ka mjaftueshëm informacion për fuqinë e Agron Xhafajt mbi policinë e Vlorës, Policinë e Shtetit dhe rrjetit të tij kriminal në Vlorë. Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është ministër i Brendshëm”, shton kreu i PD.

Dorëzimin e Agron Xhafajt tek autoritetet italiane, Lulzim Basha e interpreton si përpjekje për të mos e vënë atë përballë opinionit publik.

“Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj po dërgohet në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figure! Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij”, shton ai.

Shfaqjen e Edi Ramës sot Basha e quan të “neveritshme dhe të pabesueshme, sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë”.

“Shqiptarët kanë shumë halle dhe probleme, por ata nuk harrojnë se Edi Rama u tregoi dy vjet më parë se “historia me drogë e vëllait të Fatmir Xhafës ishte e sajuar”, ndërsa sot pranoi se për këtë histori droge “Agron Xhafaj po shkon në burg me këmbët e veta”, vijon kreu i demokratëve.

Për Bashën, Fatmir Xhafaj është subjekt i ligjit antimafia dhe Kryeministri Edi Rama e anashkaloi këtë.

“Në asnjë rresht të deklaratës së tij, Edi Rama nuk u dha llogari shqiptarëve pse Fatmir Xhafaj ka penguar zbatimin e ligjit Antimafia për pasurinë e të vëllait, i dënuar për trafik droge dhe, rrjedhimisht, edhe për pasurinë e vet, siç e kërkon me detyrim ligji Antimafia”, vijon ai.

Mbrojtjen e ministrit të Brendshëm nga ana e Kryeministrit Edi Rama, kryetari i PD-së e lexon si një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë.

Për Bashën, duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA