Lulzim Basha lidh emërimin e Donika Prelës si kryeprokurore të Krimeve të Rënda në Tiranë me denoncimin që opozita i bëri Fatmir Xhafajn.
“Të gjithë e mbajnë mend se Donika Prela u emërua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ditën kur Partia Demokratike filloi denoncimin e skandalit “Xhafaj”, shkruan në rrjetet sociale, kreu i PD.
Basha thotë se nyja lidhëse mes Prelës dhe ministrit të Brendshëm është ligji antimafia. Sipas kreut të Partisë Demokratike, Fatmir Xhafaj është subjekt i këtij ligji dhe prokuroria duhet të kishte nisur hetimet pas përgjimit audio që publikoi opozita.
“Duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj, deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia”, thotë ai.
Akuzat e Kryeministrit që shënjestron opozitën se po pengon integrimin, Lulzim Basha i quan naivitet.
“Sa herë atij i plasin skandale dhe sa herë opozita i zbulon lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, Edi Rama akuzon Partinë Demokratike si pengesë për integrimin Europian! Është qesharake të mendosh që Macron, Merkel apo kryeministri holandez dhe qindra politikanë të lartë francezë, gjermanë, holandezë, britanikë janë aq naivë sa i gënjen opozita shqiptare dhe nuk arrijnë të shikojnë realitetin. Fakt është se ata e dinë të vërtetën nga burimet e tyre dhe burime të tjera të pavarura”, shprehet kryedemokrati.
Basha thotë se kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar, por premton që opozita nuk do të tërhiqet.
“Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës! Në emër të Partisë Demokratike, i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi”, mbyll reagimin e tij kreu i Partisë Demokratike.
Top Channel