Venezuela, drejt zgjedhjeve. Kriza e urisë, eksodi vijon pa u ndalur

15/05/2018 16:24

Venezuela mban zgjedhjet e parakoshme presidenciale të dielën, ndërsa 5.000 njerëz në ditë braktisin vendin, shumica prej të cilëve përmes autostradës së “ruisë”, nofka që ka marrë rruga që i çon në Brazil.

Autostrada “BR174” dhe 215 kilometrat e saj thuajse nuk njiheshin nga askush, por mijëra njerëzit që e përshkojnë çdo ditë e kanë bërë të njohur këtë rrugë mes Amazonës.

Me mijëra marshojnë çdo ditë mes vapës së padurueshme për të lënë pas shpine socializmin e shekullit të XXI-të dhe urinë që ai i solli.

Prej kohësh, Venezuela është përfshirë në një krizë të rëndë ekonomike, politike dhe sociale, nga e cila zor se do të dalë nëse vazhdon të qeveriset nga regjimi socialist i presidentit Nicolas Maduro, përgjegjësi për kolapsin e vendit.

Dyqanet e zbrazura dhe njerëzit që kërkojnë mes mbeturinave janë pamje të zakonshme në qytetet e Venezuelës, duke e bërë urinë, faktorin kryesor që i bën me mijëra të largohen.

Të intervistuar nga mediet, ata thonë se nëse nuk ushqen dot veten e familjen, problemet e tjera kalojnë në plan të dytë dhe gjetja e shpresës në vend duket e pamundur, prandaj largohen.

OKB-ja thotë se mbi një milion venezuelianë kanë emigruar në Kolumbi gjatë muajve të fundit, për të njëjtat arsye, por mbipopullimi atje ka shndërruar Brazilin në një destinacion më të preferuar.

Kalimi i kufijve që janë hapur në të dyja drejtimet nuk i zgjidh të gjitha problemet e tyre, por venezuelianët e varfër thonë se të paktën uria nis të largohet ngadalë, falë edhe mikpritjes së fqinjëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA