Hapja e 62 palestrave të shkollave në Tiranë si hapësira për fëmijët e të rinjtë për tu marrë me sport pasdite, po rezulton e suksesshme.
Shkolla “1 Maji” hapi dyert për komunitetin e njësive 1 dhe 2, në palestrën e së cilës kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një ndeshje me volejbolli me të rinjtë e Klubit Sportiv Tirana Voley.
“Më vjen mirë që po e realizojmë një projekt të tillë në 62 shkollat e qytetit, në të cilat kemi rikonstruktuar palestrat dhe hapësirat sportive, duke ua vënë në dispozicion të gjithë të rinjve që duan të merren me sport”, tha Veliaj. Ai theksoi se sporti është një mënyrë e mirë për të nxitur të rinjtë që nesër të jenë qytetarë të mirë dhe profesionistë të suksesshëm. Hapja e 62 palestrave në kryeqytet do të nxisë edhe zhvillimin e miqësive mes nxënësve, që përfshihen në aktivitete sportive.
“Vetëm dikush që merret me sport mund ta kuptojë fuqinë e skuadrës, sidomos në një vend si Shqipëria. Përtej sportit, kemi nevojë t’i mësojmë të rinjve karakter, do të thotë që duhet të mësojmë si të humbasim, por edhe si të fitojmë. Një sportist i mirë di ta menaxhojë mirë humbjen, se ngrihet shpejt në këmbë”, nënvizoi Veliaj.
Sipas tij, një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë sot është edhe obeziteti, i cili vihet re në moshat e reja. “Obeziteti po kthehet në problemin kryesor për fëmijët, të cilët sot ushqehen keq. Kemi një gjeneratë të tërë që po ushqehet me patatina dhe pije me gaz”, tha ai. Ndaj, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se përmes këtij projekti, Bashkia e Tiranës po nxit të rinjtë të angazhohen në ushtrimin e sporteve të ndryshme, si mjet për formimin e fëmijëve në aspektin fizik dhe mendor, dhe për të luftuar sedentarizmin. Teksa u bëri thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat sportive, Veliaj kujtoi vendimin e marrë pak kohë më parë nga Bashkia e Tiranës për ndërrimin e dietës ushqimore në kopshte, e cila pavarësisht skepticizmit të disa prindërve në fillim, rezultoi e suksesshme.
“1 Maji” është shkolla e tretë në kryeqytet e cila ka hapur dyert që të rinjtë të shfrytëzojnë terrenet sportive pasditeve dhe në fundjavë me qëllim edukimin dhe masivizimin e shumë sportit në Tiranë.
Top Channel