Raundi i dytë i bisedimeve në nivel ekspertësh mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e kufirit detar është mbyllur.
Ministria e Jashtme e konfirmoi këtë me një njoftim të shkurtër, thuajse identik me njoftimin e shpërndarë pas mbylljes së raundit të parë të këtyre bisedimeve, të mbajtur në Tiranë.
“Takimi u zhvillua në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese”, thotë Ministria.
Grupi i negociatorëve shqiptarë drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Armand Skapi nga Ministria e Jashtme dhe Ylber Dogjani, komandant i Flotës Detare.
Ky raund i zhvillua pak ditë pas takimit të Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, takim që u zhvillua në Selanik.
Anëtarët e tjerë të grupit janë si më poshtë:
Artur Meçollari nga Ministria e Mbrojtjes
Aida Hajna, zv.drejtore e Policisë
Elira Koka Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë
Ferdi Hyraj nga Instituti i Gjeografise
Luan Përzhita nga Instituti i Arkeologjise
Lorenc Çela nga Drejtoria e Institutit te Gjeohapësirës
Qirjako Qirko, Ambasador në Londër
Arsen Mullahi
Viktor Doda
Ardjan Bylyku, nga AKBN.
Takimet në nivel ekspertësh u vonuan për shkak të mungesës së autorizimit për plotfuqishmërinë nga Presidenti Ilir Meta, që rrëzoi dy herë kërkesën e Ditmir Bushatit.
Mbajtja e këtij raundi të parë në Tiranë ishte paralajmëruar nga ministri Ditmir Bushati javën e kaluar.
“Ka patur vonesa për shkak të siuatës së brendshme dhe për shkak të nevojës për një rakordim më të mirë nga ana jonë. Javën tjetër do të jetë raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes, apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare. Ndërkohë, puna po vazhdon në të gjitha frontet e tjera. Mendoj se i gjithë procesi i bisedimeve për të gjithë temat që janë në bisedime me Greqinë është futur në hullitë e normalitetit dhe besoj se do të kemi mundësinë që të ecim përpara në adresimin e këtyre temave”, deklaroi ai për Zërin e Amerikës.
Pas takimeve në Kretë dhe më pas në Korçë, si Ditmir Bushati, ashtu edhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias kanë deklaruar se është rënë dakort për ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit.
Kufiri detar është njëra nga çështjet që po diskutohet mes dy vendeve. Nga Athina pritet abrogimi i ligjit të luftës, është arritur marrëveshja për ndërtimin e varrezës së ushtarëve grekë në Shqipëri, marrëveshja për vulën apostile dhe pritet ajo për lejet e drejtimit të automjeteve.
Top Channel