Manushaqe Lushka, nëna e 13-vjeçares që tentuan të përdhunonin, kërkon drejtësi për autorët e ngjarjes.
Ajo thotë se vajza e saj, ka dalë nga banesa rreth orës 21.00, kohë kur ka shkuar në shtëpinë e xhaxhait të saj për të parë televizor, një veprim që sipas nënës, vajza e bën thuajse çdo ditë.
Ky, sipas Manushqe Lushkës, është momenti kur djemtë e kanë marrë me forcë 13-vjeçaren duke e tërhequr zvarrë dhe më pas e kanë lidhur në një shtëpi që ishte në ndërtim e sipër, pranë shtëpisë së familjes Lushka.
Ka qenë i ëma, ajo që ka shpëtuar vajzen ndërsa më vonë kanë ndërhyrë edhe forcat e policisë.
“Te shtëpitë e ka gjetur kjo, unë kam parë vetë të tre autorët që u hodhën nga dritarja. Aty i kam bërtitur çupës, kam thënë që ku je? Shapkat i kam gjetur te dera, çupën nuk e gjeta. Kur vajti kjo për së dyti, ai erdhi e u kacafyt me mua e më thoshte ca kërkon në banesën time. I thashë po kërkoj evlatin, se ti ma ke marrë”, rrëfen Manushaqe Lushka, nëna e 13-vjeçares.
Gjyshja e vajzës thotë se njëri prej djemve është i njohur për familjen, pasi shkonte shpesh aty, madje e kishin trajtuar si djalin e shtëpisë.
“Vajzën e kam gjetur lidhur, dy të tjerët u hodhën nga dritarja, se kush ishin i nxjerr vetë ky. Ne e njoftuam policinë. Vajza u bë… as fliste e as bënte, rrinte e hutuar”, thotë Hamide Lushka, gjyshja e 13-vjeçares.
Familja Lushka jeton në një shtëpi të vogël në fshatin Arapaj, të bashkisë së Roskovecit. Vajza, 13 -vjeçare, është në klasën e shtatë, dhe është marrë në pyetje në prani edhe të psikologes për ngjarjen e një nate më parë.
Familjarët kërkojnë drejtësi dhe me forcë janë shprehur se duan që ligji të veprojë mbi autorët e kësaj ngjarje, tre djem Redion Tereziu, 22 vjec, Jorges Dosti 24 vjec dhe Marjus Calameni 24 vjec.
Ata janë ndaluar nga policia dhe akuzohen për heqje të paligjshme të lirisë dhe marrëdhënie seksuale me të mitur të mbetur në tentativë.
Top Channel