Në dhjetor Shqipëria votoi pro rezolutës së OKB që dënonte vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, duke zhvendosur ambasadën së saj nga Tel Avivi në këtë qytet.
Por, në listën e 32 vendeve që ishin të pranishme në këtë ceremoni të hënën, sipas Al Jazeera-s bën pjesë edhe vendi ynë. Ky është pretendimi i shfaqur nga Al Jazeera, por burime nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë e mohojnë këtë, duke deklaruar se nuk kanë qenë të pranishme nw ceremoni.
“Qëndrimi i Shqipërisë lidhur me këtë çështje është i ditur dhe nuk ka ndryshim të këtij qëndrimi”, thotë Ministria e Jashtme.
Ministria e Jashtme izraelite njoftoi se u kishte dërguar ftesa të 86 vendeve që kanë misione diplomatike në Izrael. 33 vende kishin konfirmuar pjesëmarrjen dhe prej tyre Tajlanda dhe Nigeria e anuluan në moment të fundit.
Edhe Serbia e Maqedonia, që në dhjetor mbajtën të njëjtin qëndrim si Shqipëria në OKB u përfaqësuan në këtë ceremoni dhe nga Ballkani u bashkua në fund edhe Rumania, që abstenoi në votimin e OKB-së.
Çështja e zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem ka trazuar Bukureshtin. Presidenti Klaus Iohannis është përplasur me Kryeministrin Viorica Dancila për qëndrimin e mbajtur, sidomos pasi Bukureshti bllokoi përmes vetos një rezolutë të 28 vendeve anëtare të BE-së që dënonte vendimin e Uashingtonit për lëvizjen e selisë diplomatike.
Ceremonia u shoqërua me protesta nga palestinezët në Rripin e Gazas. Mbi 55 protestues mbetën të vrarë nga ushtria izraelite dhe 2700 të tjerë janë plagosur.
Top Channel