Liqeni i Farkës është tashmë jo vetëm destinacioni i preferuar i fundjavës, por edhe vendi perfekt për gara sportive. Më 10 qershor, do të mirëpresë Triatlon, një sport që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap.
Përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë të apasionuarve pas sportit që të bëhen pjesë e kësaj sfide sportive, por që do të jetë njëherësh edhe shumë argëtuese me festën që do të organizohet pas gare.
“Jo vetëm destinacioni i preferuar i fundjavës, por Liqeni i Farkës tani është edhe vendi perfekt për gara sportive! Tirana – Triathlon, një garë emocionuese dhe plot sfida. Not, çiklizëm, vrap në një super event. Mos mungo”, shkruan Veliaj.
Kjo garë argëtuese por në të njëjtën kohë edhe sfiduese, vjen për herë të parë në qytetin e Tiranës, organizuar nga Bashkia Tiranë.
Itinerari në harmoni me natyrën fantastike të liqenit të Farkës, do të përshkrojë distancat prej 750 m not, 10 km biçikletë dhe 5 km vrap, të zhvilluara njëra pas tjetrës nga i njëjti garues.
Shpërblimi për fituesit për secilën kategori femër/mashkull do të jetë:
– Vendi I 500€
– Vendi II 300€
– Vendi III 200€
Top Channel