Dy persona në një motoçikletë kanë kryer një sulm vetëvrasës në një stacion policie në Surabaya, një ditë pas një vale vdekjeprurëse shpërthimesh në qytetin indonezian.
Raportohet për një viktimë dhe të paktën 10 të lënduar në shpërthimin që ndodhi në orën 08:50 minuta, sipas orës lokale. Të paktën 13 persona u vranë në sulme me bomba në tre kisha të qytetit, të dielën dhe grupi shteti islamik tha se qëndronte pas atyre sulmeve.
Presidenti indonezian, Joko Vidodo, e cilësoi serinë e sulmeve si akte të turpshme, të padenja dhe ç’njerëzore. Nuk është ende e qartë nëse sulmet e këtyre dy ditëve, janë të lidhur me njëri tjetrin. Një zyrtar policie tha se detajet e plota nuk mund të bëheshin ende publike, pasi po vijon puna për identifikimin e viktimave në vendngjarje dhe skena e krimit po hetohet po ashtu.
Sipas policisë, sulmet e të dielës u kryen nga një familje që ishte kthyer nga Siria, ku shteti islamik luftonte kundër forcave qeveritare. Në sulmin e parë, dy djemtë, të moshës 16 dhe 18 vjeç, u përplasën me motoçikletën e tyre mbi kishën katolike Santa Maria dhe hodhën veten në erë.
Më pas, babai, raportohet të ketë lënë bashkëshorten dhe dy vajzat e tyre në një Kishë kristiane, ku ato hodhën veten në erë. Vajzat, 9 dhe 12 vjeç, kishin bomba në trup, ashtu si edhe e ëma.
Ndërsa vetë ai, përplasi makinën e mbushur me eksploziv mbi kishën e trete. 13 persona u vranë dhe mbi 40 të tjerë u lënduan, duke e bërë këtë sulmin më vdekjeprurës në Indonezi në më shumë se një dekadë.
Top Channel