Këtë sezon, Chelsea jo vetëm që nuk u rikonfirmua si kampion i Anglisë, por nuk arriti të kualifikohej as në Ligën e Kampioneve. Blutë e Londrës e mbyllën Premier League në vendin e 5 që do të thotë se ata sezonin e ardhshëm do të luajnë në Europa League.
Në një situatë të tillë, në ambientet e klubit londinez kanë filluar të shfaqen sërish zërat e merkatos që kanë të bëjnë me Eden Hazard dhe Thibaut Courtois.
Portieri belg është ai që ka shanset më të mëdha për t’u larguar nga kryeqyteti anglez. Kontrata e tij me Chelsea skadon në vitin 2019 dhe ai ende nuk e ka rinovuar atë. Nëse Chelsea dëshiron që të mos e largojë atë me parametra zero, atëherë ai duhet të rinovojë me Courtois në rast të kundërt Blutë duhet ta shesin me çdo kusht atë gjatë verës për të siguruar të ardhura.
Vlera e merkatos së portierit është 60 milionë Euro dhe sipas lajmeve më të fundit, belgu e ka shfaqur tashmë dëshirën për të lënë Londër dhe destinacioni i tij mund të jetë Madridi dhe më konkretisht skuadra e Realit.
Përsa i përket Hazard, mesfushori prej kohësh është vënë në shënjestrën e klubit merenges me këtë të fundit që po kërkon të sjellë në Bernabeu edhe Neymar.
Hazard vlerësohet pak më shumë se 100 milionë Euro, shifër kjo shumë më e ulët nga ajo që kërkohet për operacionin ‘Neymar’. Belgu ka me Chelsea një kontratë që skadon në vitin 2020 dhe në Londër askush nuk e ka marrë me ngut rinovimin me të.
Por duke parë që Chelsea nuk do të jetë në Ligën e Kampioneve, atëherë në drejtim të Hazard nuk do të mungojnë ofertat nga klubet më të rëndësishme evropiane ku përveç Realit të Madridit në garë do të jetë edhe Manchester City.
Top Channel