Çlirim nga hegjemonia ruse, Ukraina kërkon Kishë Ortodokse Autoqefale

14/05/2018 17:28

Zyrtarë ukrainas u bënë një peticion udhëheqësve të Kishës Ortodokse që t’i lejojnë të krijojnë një kishë kombëtare të pavarur nga Rusia, në një përpjekje për t’i dhënë fund më shumë se 300 viteve ndikimi moskovit mbi çështjet fetare në vend.

Për mbështetësit e idesë, krijimi i një kishe autoqefale do të ishte një hap i madh përpara në fushatën e Kievit për t’u çliruar nga hegjemonia ruse. Për shumë ukrainas patriotë, ideja që Moska ndërhyn në çështjet fetare të Ukrainës është e papranueshme. Ata thonë se, duke parë lidhjen e ngushtë mes Kishës Ortodokse ruse dhe Kremlinit, ndikimi politik është gjithashtu i qartë.

“Kjo është një çështje e sigurisë kombëtare dhe e mbrojtjes sonë në një luftë hibride. Kremlini e konsideron Kishën ruse si një instrument thelbësor ndikimi në Ukrainë”, deklaroi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.

Lidhjet fetare mes dy vendeve shkojnë mbi 1.000 vite në të shkuarën, kur nuk kishte as Rusi dhe as Ukrainë. Por, pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik, çështja e kishës së pavarur ukrainase u bë mjaft e rëndësishme.

Në Ukrainë ka 3 kisha të vetëshpallura të pavarura, por meqë askush në komunitetin ortodoks nuk i njeh, e vetmja zyrtare mbetet ajo e Moskës.

Konflikti në lindje të vendit, sigurisht që i ka nxitur ukrainasit të kenë kishën e tyre dhe ata mendojnë se pa Ukrainën, Patriarkana e Moskës nuk do të ishte më e madhja në botë, ashtu si Bashkimi Sovjetik nuk mund të ekzistonte pa Ukrainën.

Megjithatë, ka kritikë që thonë se një lëvizje e tillë do të sillte ndarje më të thella në Ukrainë dhe në të gjithë botën ortodokse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA