I dyshuari i sulmit vdekjeprurës me thikë në qendër të Parisit, mbrëmjen e së shtunës, ishte lindur në vitin 1997 në Republikën ruse të Çeçenisë.
Agresori vrau një 29-vjeçar dhe plagosi 4 persona të tjerë në një zonë të mbipopulluar pranë Operas, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. Ai raportohet të ketë thirrur “Allahu është i madh” në gjuhën arabe, sipas dëshmitarëve.
Më vonë, Shteti Islamik mori përsipër sulmin, duke thënë se një prej “ushtarëve” të tij kishte kryer aktin.
Presidenti francez, Emmanuel Macron reagoi në “Twitter”, ku shkroi se “Franca pagoi sërish me gjak, por nuk do të dorëzojë as edhe një centimetër lirie përkundrejt armiqve”.
Franca ka qenë në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të një serie sulmesh terroriste. Më shumë se 230 persona u vranë nga xhihadistët e frymëzuar prej Shtetit Islamik përgjatë 3 viteve të fundit.
Për t’u rikthyer te ngjarja e së shtunës, forcat e sigurisë e kanë identifikuar agresorin, edhe pse thuhet se ai nuk mbante asnjë dokument identifikimi me vete dhe zyrtarisht nuk i është bërë i ditur emri.
Por, burime të drejtësisë u kanë thënë medieve franceze se i dyshuari nuk kishte precedentë penalë dhe se prindërit e tij janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Një tjetër burim i tha “Reuters”-it se agresori nuk ishte i njohur për policinë vendase. Ai besohet të jetë nënshtetas francez.
Kjo është hera e parë që një agresor me origjinë çeçene ka ndërmarrë një sulm terrorist në Francë, aty ku jetojnë rreth 30 mijë persona të ardhur nga rajoni jugor i Federatës Ruse.
Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb tha se viktimë e sulmit ishte një kalimtar i rastit 29-vjeçar, pa dhënë gjithsesi detaje të mëtejshme. Ndërkohë, 4 të plagosurit nuk janë identifikuar ende zyrtarisht, edhe pse agjencia e lajmeve “AFP”, duke cituar burime të saj, njofton se bëhet fjalë për një 34-vjeçar dhe një 54-vjeçare të plagosura rëndë, ndërsa një 26-vjeçare dhe një 31-vjeçar kanë marrë plagë më të lehta. Megjithatë, sipas ministrit Collomb, askush prej tyre nuk ka plagë kërcënuese për jetën.
Top Channel