Dyshes së demokratëve që prej disa ditësh ndjek dhe denoncon çështjen e Agron Xhafës nga Selia Blu, këtë të dielë iu shtua një i tretë.
Dy ish-ministrave të Drejtësisë, Alibeaj e Bardhi, u erdhi në ndihmë deputeti Salianji. Përsëri Partia Demokratike akuzoi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafajn, se ka favorizuar të vëllanë e dënuar në Itali për trafik droge, por pavarësisht forcave të shtuara, nuk artikuloi një kërkesë për dorëheqjen e ministrit.
“Sa kohë që Ministër i Brendshëm është Fatmir Xhafaj, vëllai i tij, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nuk do të vuajë asnjë ditë nga dënimi 7 vjet e 2 muaj për trafik droge. Burgu në qeverinë e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt është për njerëzit e pamundur, jo për trafikantët e pushtetshëm; është për krimet ordinere, jo për krimin e organizuar”, deklaroi Alibeaj.
Demokratët akuzuan ministrin Xhafaj se ka gënjyer kur më parë është shprehur se i vëllai Agroni i ka vuajtur pasojat ligjore të gabimeve të veta. Shtruan disa pyetje, përgjigjet e të cilave i kishin po vetë.
“Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është aryseja pse Agron Xhafaj i ka shpëtuar dënimit, pse Ligji Antimafia nuk vepron mbi Agron Xhafajn dhe atë vetë. Ai ka shkelur ligjet dhe ka falsifikuar dokumentet zyrtare për këtë qëllim. Fatmir Xhafaj është arsyeja pse shteti është në shërbim të Agron Xhafajt, jo përballë tij me forcën e ligjit”, theksoi Bardhi.
U citua edhe një deklaratë e vitit 2010, ku ministri Xhafaj pohon se e ka ndihmuar të vëllanë që t’i kthehej një jete normale dhe pa rekorde negative përballë ligjit. Ata i drejtuan ministrit të Brendshëm sërish disa pyetje për të vëllanë, kësaj radhe nëpërmjet deputetit Salianji: “A e vazhdon Agron Xhafaj aktivitetin kriminal të drejtimit të organizatave të trafikut të drogës? A ka përgjegjësi ligjore, politike dhe morale Fatmir Xhafaj nëse Agron Xhafaj koordinon veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës në Shqipëri? A është Agron Xhafaj një nga bosët e drogës në Shqipëri?”
Top Channel