Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimir, deklaroi paraditen e së dielës se Shkolla e Magjistraturës ka shkelur ligjin duke bërë testin e aftësive profesionale të magjistratëve në fshehtësi të plotë.
“Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi. Në kundërshtim me ligjin e vetting-ut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik. Ky proces i drejtuar nga kamikazi i Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës është jetik për të ardhmen e sistemit dhe mungesa e transparencës është shenjë e qartë se po zbatohet projekti i Edi Ramës për kapjen e drejtësisë përmes emërimeve të reja”, u shpreh Strazimiri.
Deputeti shtoi se, “Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e transparencës në këtë proces jetik për garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe eficencën e tij”.
“Shkolla e Magjistraturës ka detyrimin të informojë publikisht për datën e zhvillimit të këtij procesi. Testimi i aftësive profesionale për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj në shkelje të ligjit të vetting-ut dhe në mungesë të plotë transparence është treguesi që procesi është i korruptuar dhe i deformuar dhe që po zhvillohet nën ndikimin e plotë të Qeverisë. Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të rekrutimeve të reja në sistemin e drejtësisë që është i korruptuar, jo transparent dhe i ndikuar politikisht”, theksoi Strazimiri.
Top Channel