Foto ilustruese

Edhe pse sezoni turistik nuk është çelur ende zyrtarisht, në Durrës dhe hotelet buzë Adriatikut kanë mbërritur shumë turistë të huaj.

Qëndrimi pozitiv i mediave botërore ndaj Shqipërisë ka joshur të huajt drejt Durrësit, portës së Ballkanit në botë, ndaj ky sezon pritet të jetë më i suksesshmi i viteve të fundit.

“Vijnë nga shtete të ndryshme. Ata janë rusë, polakë, hungarezë, bullgarë, boshnjakë etj. Ka 20% rritje nga sezoni i kaluar. Që në shtator, pa u mbyllur mirë sezoni i mëparshëm nisën prenotimet për sezonin e ri”, thotë Xhudi Pole, menaxhere hoteli.

Carmen, Gabriela dhe Jelena janë nga Belgjika, Rumania e Serbia. Ato kanë ardhur për një konferencë pune, por po shijojnë dhe plazhin e Durrësit e mendojnë të kthehen sërish këtu.

“Vij nga Brukseli, Belgjika. Ne përfaqësojmë një grup ndërkombëtar dhe shumë të tjerë do të vijnë”, thotë një turiste.

“Njerëzit janë kaq të këndshëm. Ata na përqafojnë e puthin edhe kur shkojmë të bëjmë pazar. Jam rumune. Edhe rumunët janë të këndshëm, po ju jeni”, thotë një tjetër.

“Do të kthehem në Durrës, po do të shkoj dhe në Jug”

Në këtë muaj prenotimet variojnë nga 3 deri në 10 ditë, po ka dhe turistë të ardhur pa ndërmjetësimin e agjencive që kërkojnë të qëndrojnë më gjatë. Kjo finlandeze sapo ka mbërritur për herë të parë në Shqipëri bashkë me partnerin e saj dhe ka zgjedhur plazhin e Golemit ku do të kalojë një javë.
“Erdhëm dje. Është bukur. Ngrohtë. Më pëlqen ushqimi i mirë, vera e mirë”.

Mjaft hotele janë prenotuar në kohë dhe tashmë nuk kanë dhoma të lira, siç është ky kompleks turistik në Golem i cili këtë sezon turistik do të ofrojë shërbim për qindra turistë nga Finlanda, Danimarka dhe Norvegjia.

Për t’iu përgjigjur këtij fluksi turistësh, mjaft operatorë turistikë kanë zgjedhur të investojnë jo vetëm në infrastrukturë, po dhe në kulinari. Ky shef kuzhine vjen nga Antalja dhe ka sjellë një hapësirë të re në shërbimin all inclusive të hotelerisë turistike shqiptare. Jo vetëm gatimet turke dhe osmane, por dhe ato të kuzhinës aziatike e kuzhinave të tjera të njohura do të ofrohen për turistët gjatë këtij sezoni turistik.

“Për maksimumi 10 vite Shqipëria ka për të ndryshuar shumë dhe duhet të përgatiteni si shtet jo si subjekte”, thotë shefi i kuzhinës.

Shumë të huaj shprehen të bindur se me këto ritme dhe duke investuar në mënyrë të vazhdueshme në cilësi e shërbim, shumë shpejt Shqipëria do të jetë një nga destinacionet më të kërkuara dhe më të qëndrueshme për pushime në Europë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA