Elizabeta është studente e vitit të parë në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. E angazhuar në çështje që shqetësojnë gjerësisht komunitetin dhe ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së tij, ajo vjen çdo ditë nga një zonë periferike e bashkisë së Durrësit për të ndjekur studimet në degën e Marrëdhënieve me Publikun.
Në kuadër të një detyre studimore ajo zgjodhi temën e ndotjes mjedisore të shkaktuar nga vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në zonën e Spitallë – Porto Romanos, si dhe pasojat e ndotjes në shëndetin e banorëve.
“Problemet shëndetësore janë të shumta, duke përfshirë dhe çrregullime të rënda mendore dhe depresion. Nga kërkimi në terren që unë kam bërë, më të shpeshta ishin problemet me mushkëritë, azmën, aparatin tretës dhe veshkat. Banorët paguajnë një kuotë të lartë për shërbimet shëndetësore për sëmundjet që kanë, si infeksionet, irritimet e lëkurës etj”, shprehet Elizabeta Ndoj, studente UAMD.
Por a i lidhin banorët këto probleme shëndetësore me ndotjen e lartë mjedisore të zonës? Elizabeta përgjigjet e bindur, po, ndërsa tërheq vëmendjen te apatia e pushtetit vendor dhe politikës për këtë zonë.
“Kërkesat e banorëve kanë rënë në vesh të shurdhër sepse ka vite që këtu autoritetet kujtohen vetëm në kohë zgjedhjesh”, thotë studentja.
Ndjehet thellësisht e prekur nga puna që bëjnë fëmijët nga mosha 8-vjeç e lart në këtë vendgrumbullim të mbetjeve urbane.
“Fëmijët duke filluar që nga mosha 8 vjeç që marrin pjesë në pyetësorin që unë kam realizuar, sapo mbarojnë shkollën shkojnë në vendgrumbullimin e plehrave për të mbledhur mbeturina që më pas i seleksionojnë për t’i shitur”, thotë Elizabeta.
Situata e rënduar në këtë zonë e ka ngacmuar që të kthehet aty bashkë me shoqen e saj, Etlevën, studente në një tjetër degë, e cila është befasuar nga ky realitet i qytetit të saj.
Elizabeta shpreson që zërit të saj shumë shpejt do t’i bashkohen dhe të tjerë bashkëmoshatarë e studentë, për t’i nxitur autoritetet drejt një zgjidhjeje sa më të shpejtë të këtij problemi. Në përfundim të studimeve të saj, Elizabeta dëshiron të bëhet gazetare. E vlerëson këtë si një profesion misionar që jo vetëm i jep zë qytetarëve dhe nevojave të tyre, po dhe ndikon drejtpërdrejt në zgjidhjen e tyre.
Top Channel