Liria e medias lidhet edhe me pavarësinë e gazetarëve dhe sigurinë e tyre në marrëdhëniet e punës. Autoriteti i Medias Audiovizive dhe Komisioni i Medias nisën një debat publik në lidhje me këtë çështje.
Për AMA-n, rregullimi ligjor i marrëdhënieve të punës është garanci për ushtrimin e lirë të profesionit.
“Rregullimi ligjor në marrëdhënien e punës së tyre nuk është thjesht si proces teknik dhe mbikëqyrës, por është garanci për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit, një dimenson i pazëvendësueshëm i çdo shoqërie demokratike”, deklaroi kreu i AMA-s, Gentian Sala.
Deputetët e Komisionit të medias thanë se situata aktuale e tregut të punës së gazetarëve raportohet jo e kënaqshme.
“Fakti që gazetarët nuk lejohen që të shkruajnë, një pjesë e mirë e tyre për drogën e krimin, tregon se presioni që ushtrohet ndaj tyre është shumë i madh”, u shpreh Albana Vokshi nga Komisioni i Medias.
“2700 janë gazetarë, nga këta thuhet që në vitin 2013, vetëm 42 për qind kishin kontrata dhe këto kontrata nuk dihet sesi janë”, u shpreh Milva Ekonomi, po nga Komisioni i Medias.
Vetë shoqatat e gazetarëve kërkojnë forcim të rolit sindikal, që aktualisht nuk ekziston dhe të përcaktohet statusi i gazetarit.
“Mundësia për të qenë gazetarë, kushdo, cilido pa asnjëlloj kriteri të pranuar, pra siç është në Itali pra, Urdhri i Gazetarëve, pra, nëse nuk merr certifikatën nga ky urdhër nuk mund të punosh në asnjë media. Hapi i dytë pastaj, që vendi si Italia kanë ndjekur është kontratat kolektive të punës, përcaktimi i një rruge dysheme nën të cilën nuk mund të zbresë paga e një gazetari të nivelit të parë, të nivelit të dytë e kështu me radhë”, deklaroi Armand Shkullaku nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë.
Top Channel