Ditëlindja e “Koha Jonë”, 27 vite më parë u hap gazeta e parë private në Shqipëri

11/05/2018 15:21

27 vjet më parë u botua numri i parë i gazetës “Koha Jonë”, e para gazetë private në Shqipëri pas rënies se regjimit komunist.

Botuesi Nikollë Lesi na tregon përmes fotove dhe arkivave gati tre dekada në shtypin e përditshëm. Kopja e parë e gazetës doli në qytetin e Lezhës dhe ruhet me kujdes nga zoti Lesi. Në pak kohë, gazeta u bë më e shitura në vend.

“Sot bëhen fiks 27 vite nga dalja e numrit të parë të gazetës së pavarur shqiptare “Koha Jonë”, gazetë që nisi në Lezhë, gazetë lokale, një herë në javë. Për pak kohë u kthye në gazetën më të madhe të Shqipërisë, e përditshme. Mblodhi stafin më të mirë të gazetarëve të asaj kohe, dhe kësaj kohe në një farë mënyre, se të gjithë kanë dalë nga “Koha Jonë”. Gazeta ka një tipar, që mendoj është i gjithë gazetarëve që sot kanë dalë nga “Koha Jonë” dhe punojnë në tregun mediatik shqiptar, e kurajës, e vrasjes së frikës ndaj pushtetit, sepse atëherë dhe sot natyrisht ka presion ndaj medias”, rrëfen Nikollë Lesi.

Përpalsja me pushtetin nuk ka qenë pa kosto për gazetën “Koha Jonë”. Në 1994 u arrestuan kryeredaktori Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktorit Martin Lekaj . Ndaj botuesit dhe gazetarëve ushtrohej presion i vazhdueshëm me rrahje dhe burgosje.

Kulmi arriti natën e 2 marsit 1997, kur forcat qeveritare qëlluan me armë dhe dogjën krejt redaksinë e gazetës “Koha Jonë”.

Gazeta nuk doli në treg për 40 ditë. Kjo përkon edhe me kulmin e numrit të kopjeve të shitura në treg.

“Koha Jonë mbahet mend si gazetë jo vetëm e parë dhe e lirë private, po gazetë që u ndesh me pushtetet, u dogj nga pushteti, siç është ajo e 2 marsit 1997 dhe atëherë arriti tirazhin më të madh që arriti 88 mijë kopje shitje në një ditë, kur ishte kryeredaktor Ben Blushi, mos gabohem. Më pas gazeta u kthye në një lloj shkolle praktike të gjithë medias shqiptare, ku kanë dalë sipas statistikave 75% e analistëve, moderatorëve, drejtuesve të medias së shkruar e televizive sot në tregun shqiptar, kanë dalë nga duart e Koha Jonë”, thotë Lesi.

Përplasjet vazhduan edhe me qeverinë “Nano”. Sot jemi në një realitet tjetër, ku shtypi i shkruar po gjen mënyra të reja për t’iu përshtatur botës së informacionit.

“Ka ndryshuar tregu shqiptar i medias së shkruar sidomos, Koha Jonë tani është dhe online si shumica e mediave shqiptare, ndonëse është një treg mediatik i një media digjitale, koha jonë ka një eksperiencë 27-vjeçare që e bën të jetë shumë konkurrente sot që të ngelet jo vetëm si histori, po praktikë e shembullit kurajoz të gazetarisë. E ardhmja do jetë siç është sot”, thotë Lesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA