Në valën e hetimeve që po zhvillohen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Prokuroria mori në pyetje shoferin e tij Gentian Ceka, i cili prej shtatë muajsh është nën hetim pasuror së bashku me një rreth të ngushtë personash të dosjes “Habilaj-Tahiri”.
Ceka u pyet nga prokurorët e dosjes Vladimir Mara e Dritan Prençi përsa kohë emri i tij u përmend nga nje biznesmen se ishte ai personi që harroi në makinën e tij patentën e lundrimit të ish-ministrit Tahiri.
Siç thonë burimet, ish-shoferi i ka qëndruar dëshmisë së parë, duke theksuar se patentat e ish-ministrit i kishte marrë në Durrës dhe i ka lënë në kroskotin e makinës, ku udhëtonte, të cilit iu gjetën edhe 863 mijë euro. Sipas urdhrit të gjykatës që e detyron të paraqitet pranë organeve të hetimit çdo të hënë e justifikon shumën si të ardhura nga bizneset familjare.
Nga ana tjetër, kanë kaluar pesë ditë nga dorëzimi i mandatit të deputetit dhe hetuesit nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëjnë, nëse do ta thërrasin për ta pyetur, apo do t’i drejtohen gjykatës me një kërkesë për masë.
Gjykata e Lartë që prej muajit shkurt nuk është shprehur ende për rekursin e Prokurorisë që këmbëngul që ish-ministrit Tahiri t’i bllokohet pasaporta.
Ajo që dihet është se Prokuroria është e lirë dhe nuk pengohet të kryejë çdo veprim të mundshëm hetimor ndaj ish-ministrit përsa kohë ai dha dorëheqjen nga mandati.
Sipas burimeve, nuk është e nevojshme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shprehet për mandatin e Tahirit. Pyetja kryesore është a mundet prokuroria të kërkojë një masë më të fortë se ajo që kërkon në Gjykatën e Lartë, atë të bllokimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit?
Kjo është një pyetje që pritet të marrë përgjigjje në ditët në vijim. Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit po vazhdon hetimet për mënyrën si u ekstradua Nezar Seiti, çështje për të cilën organi i akuzës së Durrësit nuk dha asnjë përgjigje se çfarë veprimesh po kryen.
Nga ana e saj, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e përmendur gjatë skandalit të ekstradimit të Seitit deklaroi se çështja për menyren si u ekstradua ai po hetohet ende
“Të gjitha institucionet e përfshira në ekstradimin e Nezar Seitit po hetohen nga Prokuroria”, tha Gjonaj.
Përgjigja për Nezar Seitin erdhi menjëherë sapo ministrja e Drejtësisë sulmoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë për mos shkarkimin e gjyqtarit Petraq Curri. Gjyqtari Curri ka refuzuar më herët të ekstradojë në Itali, Alket Hatinë, pasi Prokuroria konfirmonte hetimin e tij në Shqipëri.
Ky precedent është i njëjtë me shtetasin Nezar Seiti, i cili edhe pse ishte në hetim në Shqipëri iu dorëzua italianëve. Por kjo gjë hedh dyshime mbi qëndrimin e ministres Gjonaj, që më shumë se sa kundër gjyqtarit Petraq Curri është në mbrojtje të gjyqtarit që ekstradoi Nezar Seitin.
Për gjyqtarin Kastriot Gramshi, për të cilin ka nisur procedimi disiplinor me dyshimet se nuk duhet ta dorëzonte Seitin, në momentin që ai do të shkojë në KLD duket se sërish anëtarët do të përplasen me ministren.
Pritet që duke ndjekur precedentin “Curri” anëtarët të votojnë pro procedimit të tij, ndërsa ministrja me qëndrimin e kësaj të marte parashikohet të dalë në mbrojtje.
Top Channel