Ministri serb i Financave, Dusan Vujoviç ka dhënë dorëheqjen, një ditë pasi Serbia nisi bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi programin e ri të financimit.

Lajmi bëhet i ditur nga vet qeveria në Beograd, që njoftoi ndër të tjera se Vujoviç e kishte informuar kryeministren Ana Brnabiç mbi arsyet e largimit, të cilat ishin të një “natyre personale”.

Ish-ekonomisti i Bankës Botërore, Vujoviç ka shërbyer në dy qeveri që prej vitit 2014, ndërsa negocioi edhe një marrëveshje huadhënieje prej 1.2 miliardë eurosh me FMN-në, të cilën Serbia e përfundoi me sukses në shkurt.

Bisedimet mbi marrëveshjen e re, në këmbim të reformave për të forcuar rritjen ekonomike, nisën ditën e hënë, sipas Bankës Qendrore në Beograd.

Në disa paragrafë të letrës së dorëheqjes, të bërë publike orët e vona të së hënës nga e përditshmja e Beogradit, “Blic”, Vujoviç shkruan se dëshironte të dorëhiqej për shkaqe “familjare, profesionale dhe personale”.

“Gjatë mandatit tim janë arritur rezultate të matshme, përfshi qëndrueshmërinë makroekonomike dhe përcaktimin e reformave strukturore të nevojshme për t’i bërë këto rezultate…të qëndrueshme”, thotë Vujoviç.

Monedha serbe, dinari e nisi ditën mbarë, por më tej humbi terren me 0.12 për qind, duke u këmbyer tashmë me 118.19 dinar = 1 euro.

Milos Damjanoviç, një analist i rrjetit investigativ “Birn” në Beograd, tha se dorëheqja e Vujoviçit solli pasiguri për tregjet.

“Zgjedhja e pasardhësit të tij do të përcaktojë nëse vendi do të shkojë drejt një populizmi ekonomik apo drejt vazhdimit të reformave”, thotë ai.

Mediet serbe, ndërkohë, kanë spekuluar se Sinisa Mali, aktualisht kryebashkiak i Beogradit që ka shërbyer edhe si këshilltar ekonomie për presidentin Aleksandar Vuçiç, mund ta zëvendësojë Vujoviçin.

Qeveria serbe, e cila e mbylli vitin 2017 me një suficit të vogël, është zotuar të rrisë pagat e sektorit publik dhe pensionet gjatë këtij viti, me kushtin që performanca ekonomike të mbetet e qëndrueshme. Ekonomia serbe është zgjeruar me 2 për qind gjatë 2017-s, ndërsa parashikimet flasin për një rritje me 3.5 për qind këtë vit. Vetëm në tremujorin e parë të sivjetshëm raportohet një rritje prej 4.5 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA